Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, i cili zgjidhjen perfundimtare me Serbi e shihte me ndryshim kufijsh edhe sot ka postuar në rrjetin social Facebook, rreth kësaj teme.
Postimi i tij i plotë :
Kur në vitin 2018 u lejua nga amerikanët që të diskutohej për ripërcaktimin e kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë si zgjidhja përfundimtare e konfliktit shqiptaro-serb dhe rrjedhimisht në mes të Kosovës dhe Serbisë, u kundërshtua ky projekt, nga shumica e garniturës politike dhe e një pjese të mirë të analistëve, gazetarëve dhe përfaqësueseve të shoqërisë civile me një shkurtëpamësi të paparë në raport me zhvillimet gjeopolitike që ndodhnin në botë: një Rusi çdoherë e më agresive në rivendosjen e interesave të saj gjeostrategjikë dhe një Kinë në ngritje të vazhdueshme ekonomike, ushtarake dhe rrjedhimisht politike.
Tash kur Rusia po ndërmerr veprime konkrete në realizimin e interesave të veta, në atë që ajo e quan ‘near abroad’ (rusisht – blizhnee zarubezhe, përkatësisht vendet e ish-BRSS-së) me agresionin ndaj Ukrainës, por edhe me mundësitë e destabilizimit të Ballkanit dhe rrjedhimisht edhe të Kosovës, sidomos në veri të vendit, të njëjtit janë të alarmuar nga e ardhmja e pasigurt. Me shkurtpamësinë e tyre fatkeqësisht ndikuan që zgjidhja e problemeve me Serbinë jo vetëm të prolongohet, e ne të vazhdojmë të jetojmë në status quo, por që kjo zgjidhje të mbetet peng i situatave që janë jashtë kontrollit tonë. Çfarë të thotë njeriu tjetër pos politikanë meskin, e analistë, gazetarë e akvitistë të shoqërisë civile që i shkojnë pas interesave ditore. Sa pak burrështetas e intelektual vizionar kemi!