Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se opozita po e kundërshton propozimin që secilit tatimpagues t’i falen deri në 100 euro të faturës së tatimit në pronë, pasi sipas tij, me kërkesën e opozitës që të kthehet vlerësimi i vjetër, janë biznesmenët, ndërtimtarët e tregtarët, ata që do të paguanin mijëra euro më pak për tatimin në pronë.
“Janë me qindra biznesmenë, ndërtimtarë e tregtarë, ku me vlerësimin që po kërkon opozita, secili do të paguante mijëra euro më pak. Sidomos bizneset ndërtimore, të cilat kanë në pronësi me qindra banesa që i mbajnë pa shitur, në mënyrë që artificialisht të mbajnë çmimet e larta për banesa”, ka shkruar Murati në Facebook.
“95% e tatimpaguesve nuk do të përfitonin nga falja e tatimit në pronë; Nëse e marrim vetëm një rast të një biznesmeni ndërtimtar, me vlerësimin e vjetër do të paguante 27 mijë euro më pak tatim sesa me vlerësimin e ri – raste të tilla ka shumë; Një tjetër pronar marketesh, me vlerësimin e vjetër që po e kërkon LDK, do t’i binte të paguajë rreth 70 mijë euro më pak”, shkroi ministri.
Pra, qytetarë të dashur, kushdo që me të vërtetë ka hallin e qytetarëve, e mbështetë propozimin që secilit t’i falen deri në 100 euro nga fatura e tatimit në pronë. E ata që kanë hallin e biznesmenëve e ndërtimtarëve, e mbështesin propozimin e opozitës që të MOS u lehtësohet barra 95%-shit, por të mbrohen ndërtimtarët e tregtarët”.
Shefi i kuletës së shtetit ka neglizhuar ankesat e qytetarëve dhe opozitës, i cili tha se shumë shpejt do ta dërgojnë ligjin në Kuvend, i cili do të përfshijë edhe dispozitën e faljes së faturës së tatimit deri në 100 euro për vitin 2023.