Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, paralajmëroi se Kosova është në prag të humbjes së një mundësie të madhe financiare nga Plani i Rritjes së Komisionit Evropian, për shkak të mungesës së institucioneve funksionale në vend, transmeton Gazeta Parpirus.
Rafuna në intervistë për Ekonomia Online tha se vonesat në ratifikimin e marrëveshjes me BE-në për përfitimin e fondeve janë duke rrezikuar investime kapitale dhe përmirësimin e standardit të jetesës.
“Nga plani i rritjes shuma prej 880 milionë eurove që është paraparë për Kosovën, një parafinancim që quhet nga ana e Komisionit Evropian, ka qenë e paraparë që të financohet, ta merr edhe Kosova sikurse e kanë marrë vendet e tjera. Kosova ka ngelur, për shkak se duhet së pari të ratifikohet marrëveshja me Komisionin Evropian dhe ajo duhet të kalojë me dy të tretat në Kuvendin e Kosovës për ta marrë 7 për qind të 880 milionëshit, shumës totale si parafinancim që i bie mbi 60 milionë euro që ishte dashur t’i marrë shteti i Kosovës nga Plani i Rritjes. Mospasja fuqi të plotë e Kuvendit të Kosovës për sa kohë nuk e kemi Kuvendin fuqiplotë këto mbesin peng, do të vonohen, nuk do të vijnë me kohë dhe nuk do të mund t’i investojmë këto mjete, siç ka qenë e planifikuar, si rezultat i mosratifikimit të marrëveshjes dhe mospasjes së institucioneve të vendit fuqiplote,” tha Rafuna.
Ai bën thirrje për konsensus politik, duke theksuar urgjencën që vendi të dalë nga ngërçi institucional dhe të fillojë të funksionojë plotësisht për të mos humbur, jo vetëm fondet evropiane, por edhe mundësitë për reforma dhe investime të huaja.