Mungesa e fuqisë punëtore po sjellë probleme të mëdha për bizneset vendore. Këtë e pohojnë nga Sindikata e Sektorit Privat në Kosovë.
Ekonomistët vlerësojnë se trajtimi jo i mirë ndaj punëtorëve, ka sjellë këtë situatë. Përderisa publikimet e fundit të ASK-së flasin për rreth 750 mijë persona ekonomikisht jo aktivë në tregun e punës.
Të dhënat e fundit të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, vlerësojnë se mbi 77 mijë persona janë të papunë dhe rreth 750 mijë janë ekonomikisht joaktivë.
Statuja e Millosheviqit do të vendoset në Moskë, çfarë mban ai në duar – G…
Duke folur për Radio Kosovën, Jusuf Azemi, nga Sindikata e Sektorit Privat në Kosovë, shpreh skepticizmin e tij lidhur me të dhënat e publikuara në ASK për fuqinë jo aktive në vend.
Ai thotë se bizneset janë në telashe të mëdha me mungesë të fuqisë punëtore.
“Një kompani më kërkoi që t’ia gjejë një punëtor me 500 euro pagë, ushqim dhe transport. Unë ende nuk po mund ta gjej një punëtor që do të punonte në këto kushte, sepse ka mungesë të tyre. Bizneset janë në telashe të mëdha me mungesë të fuqisë punëtore. Tash, një punëtor të thjeshtë që vetë e kërkova në bazë të një kërkese të një kompanie e me kushte të mira, nuk po mund ta gjej, derisa të dhënat e ASK- nuk e di sesi i freskojnë ato, por në realitet nuk qëndron ajo”, tha ai.
Punësimet jo adekuate në profile të caktuara për çka edhe studiojnë, pagat e ulëta dhe orari i stërzgjatur, janë disa nga shkaqet që hezitojnë personat të kërkojnë punë, vlerëson për Radio Kosovën ekonomisti Ardijan Sahiti.
Sipas tij, bizneset tona nuk e trajtojnë si duhet punëtorin në vendin e punës.
“Qytetarët kërkojnë shumë e më shumë dhe kërkesat e tyre janë në përputhje me mundësitë e biznesit, por vetë bizneset nuk reagojnë. Unë problemin e shoh te vetë sipërmarrësi në vendin tonë, nuk i fajësojë punëtorët, po të ishte problemi te fuqia punëtore jo aktive, apo problemi te popullsia jonë, atëherë vendet si Gjermania nuk do të kishin kërkuar punëtorë dhe nuk do të kishin bërë lehtësira në ambasadat e tyre për Kosovë. Problemi nuk është te popullsia apo te kultura jonë si shoqëri, por te mentaliteti biznesor, i cili për fat të keq nuk duket që po ndryshon”, tha ai.
Sidoqoftë, njohësit e ekonomisë vlerësojnë se duhet që institucionet të kenë një qasje serioze ndaj këtij fenomeni.