Ministria e Punëve të Brendshme ka reaguar pas sulmit me granatë dore ndaj objektit të Komunës së Mitrovicës Veriore.
Përmes reagimit në Facebook, MPB ka dënuar sulmin duke thënë se sipas ekspertizë dyshohet se u përdor një granatë dore e llojit M75.
“Vazhdojnë sulmet terroriste ndaj institucioneve shtetërore. Mbrëmë në orët e vona, ndërtesa e Komunës së Mitrovicës së Veriut është sulmuar me mjet shpërthyes, që sipas ekspertizës dyshohet të jetë granatë dore e llojit M75. Nga ky akt kriminal, janë dëmtuar dhe dy vetura zyrtare që gjendeshin pranë objektit. Policia e Kosovës ka marrë masat e menjëhershme në investigimin e rastit dhe identifikimin e autorëve.” – ka shkruar MPB.
Më tej, në reagimin e tyre thuhet se këto sulme duhet të përballen me reagim të shpër nga të gjithë.
Ndër të tjera, MPB theskon se këto sulme janë tentime të Serbië për të eskaluar situatën në veri të vendit.
“Sulmet e vazhdueshme terroriste ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, duhet të përballen me reagim të ashpër nga të gjithë. Këto janë tentativa të njëpasnjëshme nga ana e Serbisë për të eskaluar situatën në veri të vendit. Ne mbesim vigjilent dhe të angazhuar për rend dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim.” – përfundon reagimi i tyre.