Moti i keq ka mbërthyer Italinë nga veriu në jug dhe pritet të vazhdojë deri në fund të javës. Mediat italiane bëjnë të ditur se është dhënë alarmi i kuq në Emilia-Romagna për shkak të rrezikut të përmbytjeve. Mbi 900 njerëz u evakuuan në rajon, ndërsa disa rrugë janë përmbytur. Mbrojtja civile është mobilizuar dhe vëmendje maksimale i është kushtuar si përmbytjeve të lumenjve ashtu edhe rrëshqitjeve të dheut në Apenine.
Shkollat u mbyllën në Ravenna dhe Bolonja, ndërsa trenat janë pezulluar në Forlì, Rimini dhe Ravenna. Që nga mëngjesi, Rete Ferroviaria Italiana ka monitoruar situatën e motit dhe ngritjen e nivelit të lumenjve për të qenë në gatishmëri për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurinë maksimale.
Në Marche, Siçili dhe Kampani është dhënë alarmi portokalli. Vëmendje shumë e madhe edhe në Marche, veçanërisht në Senigallia ku lumi Misa po arrin nivelin e përmbytjes.