Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka arritur të sigurojë mbi 28 mijë vota në zgjedhjet e fundit parlamentare. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Gruda përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka falënderuar qytetarët për mbështetjen dhe besimin e dhënë.
“Pas përfundimit të numërimit të votave brenda Kosovës, unë kam marrë mbi 28 mijë vota. Faleminderit nga zemra secilit prej jush për mbështetjen dhe besimin. Ky është një nder dhe përgjegjësi e madhe për mua.” – tha ai.
Ai ka premtuar se do të angazhohet me përgjegjësi dhe profesionalizëm gjatë mandatit të tij në Kuvendin e Kosovës, duke u zotuar për mbrojtjen e Kushtetutës, zbatimin e ligjit dhe përfaqësimin e interesave të qytetarëve.
“I siguroj të gjithë ata që kam takuar anembanë Kosovës, gjatë kësaj fushate të mrekullueshme të PDK-së, se do të shërbej me përgjegjësi dhe profesionalizëm në Kuvendin e Kosovës. Do të angazhohem çdo ditë për të mbrojtur Kushtetutën, ligjin dhe, mbi të gjitha, interesin e qytetarëve të Kosovës. Rruga për ta bërë Kosovën më të mirë vazhdon me përkushtim edhe më të madh brenda Kuvendit. Ju faleminderit!” – tha ai.