Një delegacion 18-anëtarësh i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), i drejtuar nga austriakja Petra Bayr, do t’i vëzhgojë zgjedhjet në Kosovë që do të mbahen më 9 shkurt.
Në njfotim theksohet se delegacioni do të jetë në Kosovë nga 7 deri më 10 shkurt, është njoftuar nga PACE.
“Delegacioni do të takohet me liderë dhe përfaqësues të partive kryesore politike, me kryesuesin dhe anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me kryevëzhguesin e misionit të BE-së për monitorim të zgjedhjeve, si dhe me Komisionin e Pavarur të Mediave, me përfaqësues të mediave e shoqërisë civile, përpara se të vëzhgojë votimin më 9 shkurt”, thuhet në njoftim.
Një përfaqësues i Komisionit të Venecias, grup i ekspertëve ligjor të pavarur të Këshillit të Evropës, do të ofrojë këshilla ligjore gjatë misionit vëzhgues të zgjedhjeve parlamentare.
Kryetarja e delegacionit, Petra Bayr, pritet të mbajë konferencë për media të hënën më 10 shkurt në orën 14:00 në Prishtinë.