Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, pas refuzimit që i ka bërë Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ftesës së Kryeministrit Albin Kurti për bashkëpunim institucional.
Përmes një statusi në Facebook, Molliqaj e ka vlerësuar si të drejtë dhe të argumentuar refuzimin e LDK-së ndaj Kurtit, duke theksuar se rëndësi të veçantë kanë arsyet që e shoqërojnë këtë vendim, e jo thjesht mohimi politik.
“Refuzimi është përgjigja e duhur ndaj Kurtit. Kështu paska bërë sot Kryetari i LDK-së, z. Abdixhiku… ka nisur mbarë duke përmendur sulmet ndaj demokracisë, lirisë së shprehjes, kapjen e institucioneve dhe rrezikimin e sigurisë nacionale,” ka shkruar Molliqaj.Megjithatë, Molliqaj shpreh rezerva të forta ndaj propozimit të LDK-së për një Qeveri Nacionale të Tranzicionit, duke e cilësuar këtë rrugë si të “pamundur” dhe kontradiktore në vetvete.
Reagimi i plotë:
Refuzimi nuk mjafton
Refuzimi është përgjigja e duhur ndaj Kurtit. Kështu paska bërë sot Kryetari i LDK-së, z.Abdixhiku. Nuk po flasim thjesht për një përgjigje mohuese. Është renditja e arsyeve çfarë ka rëndësi.Abdixhiku e ka nisur mbarë duke filluar me sulmin ndaj demokracisë, lirisë së shprehjes, ka përmendur kapjen insitucioneve të pavarura e kushtetuese, e deri te rrezikimi i sigurisë nacionale e aleancave strategjike ku mbështetet Kosova. Janë këto arsyet qenësore pse Kurti duhet refuzuar, dhe jo inatet që vijnë nga përditshmëria politike.
Por, fatkeqësisht duhet të themi se ky veprim është një veprim i duhur në kuadrin e një rruge plot mjegull e abstenim. Kjo sepse propozimi i LDK-së është një rrugë e pamundur.LDK po e propozon një Qeveri Nacionale të Tranzicionit. Sipas tyre, pas takimeve e konsultimeve të partive shqiptare dhe atyre nga komunitetet joshumicë, rruga përpara është thjesht pajtimi për një ekzekutiv pa Albin Kurtin. Nëse i marrim vlerësimet e Abdixhikut për punën katër vjeçare të Kurtit, dhe i vendosim ato përballë “zgjidhjes” së ofruar, do të shihnim së paku një kontradiktë logjike. Dikush që e sulmon demokracinë, që cënon fjalën e lirë, që kapë insitucionet e pavarura nuk ta dorëzon pushtetin përmes konsultimeve. Cili autokrat e ka dorëzuar pushtetin në tavolinë? Asnjë deri sot.
Abdixhiku nuk ka iluzione. Ky propozim nuk është rruga përpara. Çfarë shohim në formë propozimi, në fakt është një mungesë: mungesa e gatishmërisë për të marrë përgjegjësi. Quhet shumicë parlamentare e opozitës së kaluar që e krijon Qeverinë e re.