Kreu i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka folur për protestën e organizuar nga subjekti i tij politik, ndërsa ka komentuar Asociacionin.
Duke folur në “Debat Plus”, Molliqaj ka thënë se në protestën e organizuar nga PSD-ja janë përfshirë edhe kundërshtimi i marrëveshjes edhe ajo që sipas tij është “papërgjegjësi e kryeministrit kundrejt premtimeve të tij.”
“Ajo që neve na bën të ndihemi optimist është që gradualisht po largohet mjegulla me të madhe. Kjo marrëveshje ka filluar të shitet si marrëveshje që në qendër e ka njohjen. Premtimi për njohjen nga Serbia po dihet që është larguar. Pos që u largua njohja nga Serbia dhe u vendos Asociacioni në qendër po ashtu u largua thuajse krejt mjegulla për njohjet nga 5 vendet anëtare të BE-së,”- është shprehur ai.
Më tej ai ka shtuar se “protesta i ka përfshirë edhe kundërshtimin e marrëveshjes edhe papërgjegjësinë e Kurtit karshi premtimeve të tij.”
Sa i përket protestës së mbajtur, Molliqaj tha se ka pasur pritshmëri më të larta, por megjithatë protesta nuk ka dështuar.
“Në sytë tonë nuk dështoi protesta, nuk është as e kënaqshme as e pritshme, por ajo nuk varet veç nga numri. Mesazhi i protestës u përcoll. Ka ende njerëz që kanë shpresë që marrëveshja do të sabotohet nga kryeministri Kurti,”- ka thënë Molliqaj.