Lideri i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka folur për largimin e mjekëve dhe infermierëve të Kosovës për në Gjermani.
Ai ka thënë se Gjermania po ia merr Kosovës mjekët e infermierët për shkak se atje kushton 200 mijë euro nxjerrja e një mjeku në treg.
“Tani kqyrni hipokrizinë e madhe që është këtu. Oda e Mjekëve në Gjermani del dhe thotë: Duhet me i shtu 3000-4000 studenta të rinj të mjekësisë, bëjnë kërkesë zyrtare. As universitetet publike, as private, as shteti nuk e rrit asnjë numrin e mjekëve që don atje. Pse? 200 mijë euro kushton një mjek me e ba në Gjermani, 30 mijë një infermier dhe po ia merr Kosovës, Ballkanit, Amerikës Latine. Dhe ki raporte që thonë se deri në vitin 2030, gjysmë milioni infermierë i vyn Gjermanisë. Aktualisht i vyn 200 mijë infermierë edhe 1 mijë mjek. Nuk mundem mos me i tregu qytetarit të Republikës së Kosovës dhe me ia ba me shenjë që veç Albin Kurti i ka fajet, ose veç kjo qeveri”, ka thënë Molliqaj.
“Ka qeveria faje në migrim. Faji më i madh se kjo është çështja e koncentrimit të kapitalit të Gjermanisë që nuk është veç me neve por edhe me Evropën. Ju e dini që Kroacisë që është brenda BE-së, i kanë ikë. Tani çka po thojmë na, po thojmë që ish kanë mirë rajoni me e pasë një marrëdhënie tjetër tregtare me Gjermaninë. S’po thojmë me e këput, as s’po thojmë me i qit taksa por ish kanë dashtë me shpërnda qat kapital, se është duke fitu dyfish prej neve”, ka thënë Molliqaj në Këndin e Debatit në Tëvë 1.
Lideri i PSD-së thotë se shqetësohet për problematikën e ikjes së mjekëve e infermierëve, ndonëse pajtohet që largimi i kuadrove po bëhet me vullnet.
“Unë pajtohem që ata po shkojnë në Gjermani me vullnet. Po na jemi qytetarë të Kosovës dhe unë angazhohem për Kosovën. Unë kur të flas, flas për Kosovën, ju po flitni për individë. Individët i kanë liritë e veta për me shku, unë po flas për problemin e Kosovës. A e dini që Kosova, sektori publik vuan që s’ka anesteziolog. Edhe unë duhem me u shqetësu për qët punë si politikan i Kosovës. Dhe unë duhet me i këqyr shkaqet pse po më ik anesteziologu. Një që s’ia kam bë vendin, dy që Gjermania po e thirr. Shtetet si Kosova nuk munden me i ndërtu qato politika qaq lehtë kur e ki një shtet të fuqishëm si Gjermania. Ju e dini që Gjermania praktikisht e pat bankrotu Greqinë. A e dini që në kohën kur Greqia i lypke ndihmë Gjermanisë, i jepshin ndihma dhe e shtinin në borxh për me ble armatim prej Gjermanisë”, ka deklaruar Molliqaj.
Sipas tij Gjermania i shfrytëzon shtetet tjera në këtë pjësë teksa qëllimi i saj nuk është t’ia bëjë jetën më të mirë mjekut të Kosovës.
“Gjermania është Gjermani jo pse ata janë gjermanë qysh ka qejf Kosova me iu shpjegu, ose vendet tjera, por për shkak se i shfrytëzon shtetet tjera. Gjermania po na shet produkte neve, pse po na i merr mjekët, pse nuk po i prodhon. Gjermania nuk është t’u e bo për me ia bo jetën më të mirë mjekut tonë. Gjermania po na e merr mjekun tonë se po i konvenon asaj”, ka deklaruar Molliqaj.