Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka reaguar pas përfundimit të takimit 12 orësh në mes Kurtit dhe Vuçiq në Ohër.
Nga ky takim, shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell ka nxerur detaje ku ka deklaruar se Kosova është pajtuar që të fillojë menjëherë “për të siguruar një nivel të mirëfilltë të vet-menaxhimit të komunitetit serb në Kosovë”
“Kosova është pajtuar të filloj menjëherë, kur them menjëherë e nënkuptoj që menjëherë do të aranzhoj, rregullimet për të siguruar një nivel të mirëfilltë të vet-menaxhimit të komunitetit serb në Kosovë,“- ka thënë Borrell.
Molliqaj ka reaguar duke thënë se “sot u tradhtua Kosova”, dhe sipas tij një njeri (Kurti) e dorëzoi Kosovën.
Tutje në fund të reagimit të tij, Molliqaj ka paralajmëruar edhe protesta.
Postimi i plotë i tij:
Sot u tradhtua Kosova!
Një njeri i ngjitur n’pushtet nga rezistenca më e fuqishme e pas luftës n’vend, sot e dorëzoi Kosovën.
Një parti që u ngrit nga mijëra protesta kundër Asociacionit, sot e solli atë.
Një qeveri që mashtroi për 2 vite se nuk do të negociojë pa njohjen në qendër, sot e pranoi përjetësimin e mosnjohjes.
Sot Albin Kurti i ndau rrugët nga ata qindra mijëra njerëz që e kundërshtuan Asociacionin. I ndau rrugët me ata që edhe sot vazhdojnë t’jenë kundër, po aq fuqishëm.
Sot Albin Kurti Kosovës po ia rrezikon të ardhmen, sepse vetes po don t’ia ruajë pushtetin.
Sot Albin Kurti, e tradhtoi Kosovën.
Por sot, më shumë se kurrë, u qartësua rruga e rezistencës. Rezistencës që do të rritet, përditë e më shumë.
Shihemi n’protesta!