Lideri i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka bërë me dije se të mërkurën ka qenë në polici për të dëshmuar në lidhje me dyshimet për rënien e qëllimshme të blloqeve në KEK, në kohën kur Kosova është duke u ballafaquar me krizë energjetike.
Ai ka thënë se hetimet tashmë kanë filluar dhe se e vërteta do të ngadhënjej.
Më tutje, Molliqaj ka kërkuar që kushdo që ka informata në lidhje me këto dyshime t’i publikojë ato.
“Hetimet kanë filluar. E vërteta do të ngadhënjej. Sot në polici theksova dyshimet, pyetjet dhe dhashë informatat që kemi në posedim lidhur me rastin e degradimit të KEDS-it. Lajm i mirë në këtë thellim të krizës energjetike është fakti se kanë nisur hetimet. Qytetarët nuk mund t’i shërbejnë kapitalit privat e as nuk mund ta legjitimojnë qasjen e tillë qeverisëse. Ftojmë të gjithë që kanë informata dhe mediat hulumtuese që t’i bashkohen këtij hetimi dhe të publikojnë informacionet që i kanë lidhur me këto dy kompani. Fajtori nuk është jetim dhe për këtë do të kërkojmë llogari deri në fund”, ka shkruar Molliqaj në llogarinë e vet në “Facebook”.