I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, nesër do të vizitojë Kosovën.
Lajmin e bëjnë me dije burime ndërkombëtare të Televizionit Kanal 10.
Gjatë kësaj vizite, Lajçaku pritet të takohet me përfaqësuesit me të lartë institucional të Kosovës.
Sipas këtyre burimeve, çështje themelore e diskutimit pritet të jetë dialogu mes dy vendeve, me theks të veçantë, themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.
I dërguari i BE-së, ditë më parë tha se draft-statuti i propozuar nga ekipi menaxhues për themelimin e Asociacionit, është pikënisje e mirë për të vazhduar negociatat mes dy shteteve në nivel të kryenegociatorëve. “Palët gjithashtu bënë një hap të rëndësishëm dhe simbolik drejt themelimit të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Megjithëse drafti i parë i paraqitur nga ekipi menaxhues nuk është përfundimtar, ai është një pikënisje e rëndësishme për diskutimet e ardhshme në nivelin e kryenegociatorëve”, tha Lajçak.
Pas Prishtinës, përfaqësuesi i BE-së, Miroslav Lajçak, pritet ta vizitojë edhe Serbinë, ku do të takohet me krerët e institucioneve atje.
Kjo vizitë e tij vjen një javë pas takimit mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, në Bruksel.