Tre kirurgë në Spitalin e Vushtrrisë janë kapur në flagrancë duke marrë ryshfet. Ata dyshohet se u kërkonin pacientëve nga 150 deri në 400 euro për t’i operuar. Sot Policia e Kosovës ka arrestuar dy prej tyre, Ekrem Sefiun e Arsim Latifajn, por jo edhe Isuf Zekaj, i cili në korrik të vitit të kaluar nga Qeveria Kurti iu është besuar pozita e anëtarit të Bordit Drejtues të SHSKUK-së.
Zekaj i cili është edhe shef i Kirurgjisë në Spitalin e Vushtrrisë, në të paktën dy raste është zënë duke iu marrë para pacientëve, të cilët kryenin operacionet në Spitalin e shtetit.
Mjeku të cilin kryeministri Kurti i besoi këtë pozitë kaq të rëndësishme sot nuk është gjetur në vendin e punës, rrjedhimisht është i vetmi që nuk është arrestuar.
Arrestohen dy kirurgët e përfshirë në skandalin për korrupsion në Spitalin e Vushtrrisë – i treti nuk u gjet në vend të punës
Këtë për Insajderin e ka konfirmuar drejtoresha e spitalit të Vushtrrisë, Shefkije Shatri derisa shtoi se Zekaj ndodhet në pushim vjetor.
“Ju njoftojmë se policia e Kosovës po sa e ka arrestuar në Spital, dr. Arsim Latifaj dhe dr. Ekrem Sefiu. Ndërsa dr. Isuf Zekaj është në pushim vjetor për çka është thirrur në telefon dhe i është kërkuar dorëzimi në polici. Të njëjtit janë suspenduar nga puna deri ne një njoftimin tjetër”, ka deklaruar Shatri për Insajderin.
Policia e Kosovës ka kërkuar që i njëjti të paraqitet në Polici.
Si u zu në flagrancë Isuf Zekaj duke marrë ryshfet?
Bazuar në raportimin e Gazetës Shneta, Zekaj në rastin e parë nga pacienti ka marrë 200 euro e në të dytin 250 euro.
Pacienti i parë i shtrirë në repart pas operacionit, deklaronte se i është dashur të paguaj 200 euro për materialet e nevojshme për intervenim. Pacienti hezitonte të tregonte detaje duke thënë se për të ishte e rëndësishme që të kryente punë.
Si u merrte ryshfet pacientëve mjeku që mori besimin e Kurtit për ta drejtuar SHSKUK-në?
Në rastin e pacientit të dytë të operuar nga Zekaj, flet një familjar i pacientit i cili thotë se i ka dhënë mjekut 250 euro me arsyetimin për të blerë materialet.
Familjari: Ai i ka kry krejt se unë nuk dijsha
Sinjalizuesi: Kush vllau a?
Pacienti: Unë, unë.
Sinjalizuesi: Ti ja ke dhanë doktorit a?
Familjari: Po doktorit ja kam dhënë.
Sinjalizuesi: Sa ja ke dhënë?
Familjari: 250…Janë tha do më të dobëta 180, por më mirë është 250.