Kosova, si një vend paqësor, stabil dhe multietnik, mbetet një prioritet strategjik për Gjermaninë, ka deklaruar Misioni Gjerman në NATO.
Sipas njoftimit të bërë nga ky mision, angazhimi i Gjermanisë për sigurinë dhe stabilitetin në rajon, përfshirë Kosovën, është i pakundërshtueshëm, transmeton Gazeta Papirus.
Misioni Gjerman në NATO ka theksuar rolin kyç të KFOR-it dhe Ekipit Ndërlidhës Këshillimor të NATO-s (NALT) në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë.
Ata kanë theksuar se Gjermania aktualisht ka më shumë se 300 ushtarë që shërbejnë në kuadër të këtyre dy misioneve të NATO-s.
Po ashtu, Misioni Gjerman njoftoi se vendi ka zgjatur angazhimin e kompanisë operative gjermane në kuadër të KFOR-it deri në vitin 2027.
Sipas deklaratës, në këtë fazë, Gjermania nuk ka planifikuar rritjen e numrit të ushtarëve të saj në KFOR, por vazhdon të mbështesë stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor.