Ministrja e Austrisë për BE-në dhe Çështjet Kushtetuese, Karoline Edtstadler, e cila do të vizitojë Beogradin të hënën, ka theksuar se përparimi në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i domosdoshëm për stabilitetin e rajonit.
“Përparimi në dialog është i domosdoshëm për stabilitetin e rajonit. Ne presim angazhim të mëtejshëm konstruktiv të palëve në mënyrë që të zbatohen shpejt të gjitha marrëveshjet”, tha ajo në një deklaratë.
Sipas saj, Austria e mbështet Bashkimin Evropian në rolin e saj si ndërmjetës në dialog.
“Është e rëndësishme që Evropa të jetë e bashkuar, si bashkësi vlerash, dhe të mos lejojmë ndarje. Këtu, natyrisht, përfshihen edhe vendet kandidate, të cilat janë partnerë të pazëvendësueshëm për ne”, theksoi Edstadler.