Ministria e Bujqësisë ka dalur me një reagim të gjatë për media, pas raportimit nga grupi Koha, lidhur me një tender 66 mijë eurosh për largimin e mobiljeve nga ish-selia e AAK-së.
Sipas raportimit, tenderi u dha për të larguar mobilije që nuk ekzistonin.
Ministria ka thënë se pamjet e publikuara nga Koha, nuk ishin pjesë e kontratës.
Reagimi pa ndërhyrje:
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural demanton artikullin e publikuar nga mediumi Koha Vizion me titullin “Shteti pagoi 66 mijë euro për t’i hequr mobiliet nga ndërtesa ku e kishte selinë AAK-ja, i transmetuar më 19 mars 2025, si dhe të publikuar në portalin zyrtar të koha.net. Lajmi/storja e paraqitur nga gazetarja Sanie Jusufi nuk ka pasqyruar gjendjen e plotë faktike dhe ka shtrembëruar faktet reale, duke e bërë këtë lajm, lajm të rremë!
Kërkojmë nga redaksia të distancohet nga ky lajm i pavërtetë, i cili manipulon me fakte dhe keqinformon opinionin publik. Videot e realizuara, jane pamje te marra nga hapesirat te cilat nuk kane qene pjese e kontrates per renovim.
Në vijim, paraqesim në mënyrë kronologjike faktet lidhur me projektin “Renovimi i objektit të MBPZhR-së në Ulpianë për pjesën që aktualisht është në shfrytëzim nga MBPZhR”:
– Me Vendimin e datës 08.07.2024, për dorëzimin–pranimin e çelësave të objektit të MBPZhR-së, komisioni në përbërje të dy anëtarëve nga MBPZhR-ja dhe një përfaqësues nga AAK-ja, realizoi pranim-dorëzimin e çelësave të objektit të MBPZhR-së, i cili deri në këtë datë ishte në shfrytëzim nga subjekti politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, bazuar në një kontratë.
– Me qëllim të akomodimit të zyrtarëve të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë në këtë objekt, që është pronë e MBPZhR-së, dhe për të shmangur shpenzime të panevojshme për qira, është iniciuar procedura e prokurimit për përzgjedhjen e kompanisë që do të rinovonte objektin. Kjo, për të krijuar kushte të përshtatshme pune, pasi objekti është dorëzuar në gjendje të mjerueshme. (Bashkëngjitur gjeni faktet përmes fotografive).
– Para se të hapej procedura tenderuese për renovimin e objektit, MBPZhR angazhoi Operatorin Ekonomik “Primo Studio”, i cili ishte i detyruar të hartonte projektin ekzekutiv sipas Nenit 28, paragrafit 10 të LPP-së, skicat projektuese, si dhe paramasën dhe parallogarinë me çmime bazuar në analizën dhe hulumtimin e tregut për renovimet e nevojshme. Dokumentet u dorëzuan në dy kopje fizike dhe elektronike.
– Pas sugjerimeve profesionale, u iniciua projekti “Renovimi i objektit të MBPZhR-së në Ulpianë”. Në kuadër të këtij projekti janë realizuar edhe punimet, ndërsa përmes fotografive/dëshmive mund të shihet se fillimisht është bërë pastrimi dhe kthimi i objektit në pikën zero para nisjes së renovimit, i cili përfshiu:
– Kulmin, duke përfshirë izolimin e plotë;
– Dyert dhe dritaret;
– Nyjet sanitare dhe banjot;
– Dyshemetë;
– Rrjetin energjetik;
– Ngrohjen qendrore dhe rrjetin e internetit, etj.
– Ndërkaq, nevoja për një aneks-kontratë lindi për shkak të tre pozicioneve të domosdoshme, siç vijon:
1. Gjatë mbulimit të kulmit me llamarinë, projektuesi kishte gabuar në matjen e gjatësisë, duke llogaritur rreth 50 metra më pak.
2. Pas rrënimit të tavaneve të zyrave, muret ndarëse dhe korridoret nuk ishin stabile, pasi u vërejtën lëvizje dhe plasaritje. Për këtë arsye, u bë e nevojshme përforcimi i mureve me kënde çelikunpër t’i stabilizuar.
3. Zyrat dhe korridoret fillimisht ishin planifikuar të rrafshoheshin dhe të gëlqeroheshin, por për shkak të plasaritjeve, u bë e nevojshme vendosja e një shtrese rrjete dhe gëlqerimi me mallter.
Duke pasur parasysh sa më sipër, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural kërkon që mediumi juaj të largojë artikullin/storjen e publikuar më 19 mars 2025, si dhe të publikojë këtë reagim në të gjitha kanalet zyrtare ku është shpërndarë lajmi.
Për më tepër, kërkojmë që të publikohen edhe faktet dhe dëshmitë e bashkëngjitura me këtë reagim.
Për njoftimin tuaj, ne si institucion do të paraqesim ankesë në organin më të lartë për mediat e shkruara, Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës.