Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se në fillim të kësaj jave Agjencia Kundër Korrupsion (AKK) ka shpallur vendimin për rastin e tij, të dyshuar për konflikt interesi.
Vitia ka thënë se AKK-ja nuk ka gjetur konflikt interesi në rastin e punësimit të tij në një institucion shëndetësor privat disa muaj pas dorëheqjes nga pozita e ministrit në periudhën e Qeverisë Kurti I.
Në raportimin e tij para anëtarëve të Komisionit për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, Vitia ka deklaruar se është e vërtetë që ka mbajtur pozicion në një institucion shëndetësor privat vitin e kaluar pas dorëheqjes nga pozita e ministrit, por ka theksuar se nuk ka qenë asnjëherë drejtor i spitalit, siç ishte raportuar në media.
“Është fakt që kam punuar gjashtë muaj në një institucion shëndetësor privat. Nuk kisha dhënë më shumë komente, sepse lënda ime në Agjencinë Kundër Korrupsion dhe në fillim të kësaj jave, pas shumë informatave që i kanë kërkuar dhe u kam dërguar, AKK-ja nuk ka gjetur asnjë konflikt interesi në lidhje me pozicionin tim në institucionin privat”, ka deklaruar Vitia.
Ai ka paralajmëruar padi ndaj disa personave.
“Biles, për disa persona që kanë shpifur kinse unë jam edhe pronar, do të dorëzojë padi në gjykatë sepse kanë goditur figurën time publike”, ka thënë Vitia.