Pas aksidentit të ditës së shtunë në qendrën e skijimit në Brezovicë, brenda shtigjeve të skijimit, ku një motor bore u aksidentua me një skiator, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka vizituar Brezovicën.
Ai u takua me kryetarin e komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtic. Gjithashtu, ai është takuar edhe me komandantin e policisë të Komunës së Shtërpcës, Dragan Stefanovic, ku folën për çështje të sigurisë dhe menaxhimit të ri të qendrës së skijimit.
Kjo pasi këtë sezon Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë nën menaxhim këtë qendër.
Sveçla është zotuar që mjetet motorike nuk do operojnë me në qendrën e skijimit përveç atyre emergjente. Ai gjithashtu deklaroi se rrugët do të jenë të kalueshme.
Kjo për faktin se ditën e aksidentit, pasi aksidentet e tilla me motor bore në këtë zonë prej vitesh janë bërë problem për vizitorët, ekipet mjekësore janë vonuar për shkak të bllokimit të rrugës nga kaosi i parkimit të automjeteve vend e pa vend.
Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, tash ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, sa ishin në opozitë deklaronte se Lista Serbe punon për shërbimin sekret të Serbisë, të njohur si BIA. Por, siç duket pushteti e ka ndryshuar, pasi sot me nënkryetarin e kësaj partie, Dalibor Jevtiqin, u panë të buzëqeshur në Brezovicë