Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka shoqëruar sot në orët e mbrëmjes inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), për të kryer kontrolle në disa kafeteri në Fushë-Kosovë dhe Ferizaj, për të parë sa po zbatohet Ligji për Kontrollin e Duhanit.
Kreu i MBPZhR-së, në kuadër të të cilës funksionon AUV, ka thënë se intensiteti i inspektimeve po rritet edhe gjatë fundjavave.
Ministri Peci në një deklarim për Ekonomia Online dhe një medie tjetër, ka thënë se janë duke e inspektuar ne vazhdimësi se sa po respektohet Ligji që ndalon pirjen e duhanit në hapësira të mbyllura.
Ai ka thënë se inspektorët e AUV-it janë vazhdimisht ne terren, sikurse sot që kanë dalë në inspektimin e kafeterive në Fushë-Kosovë.
“Është një aksion që synon që të ketë një matje pulsi. Nuk është vetëm njëditor ose njëjavor, përkundrazi jemi të vendosur qe Ligjin për ndalimin e duhanit në hapësirat e mbyllura ta çojmë deri në fund”.
Prandaj, ai ka paralajmëruar të gjitha lokalet që nuk e respektojnë këtë ligj se aksionet do të vazhdojnë. “Duam ta përçojmë mesazhin, jo vetëm për qytetarët, pot edhe për operatorët ekonomikë: ‘Boll më, nuk mund të vazhdojmë me pirjen e duhanit në hapësirat e mbyllura’”.
Peci ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin e vazhdueshëm në raportimin e rasteve ku thyhet ligji.
Sipas tij, ka një rezistencë dhe organizim të gastronomëve, përmes rrjeteve sociale, kundër aksioneve të inspektorëve. Ka theksuar se kjo është e papranueshme.
“Përkundër rezistencës së organizuar të disa gastronomëve, përveç se po vendosim rend dhe ligj, po e çojmë në vend edhe vullnetin e qytetarëve për ambiente pa duhan”.
“Askush nuk mund ta minojë rendin edhe ligjin. Do të ketë zero tolerancë!”, ka theksuar Peci.
AUV ka treguar se po nxjerr në terren me rotacion inspektorët, duke ua ndërruar qytetin ku punojnë zakonisht.
Aksioni që ka nisur në Fushë-Kosovë, në orët e mbrëmjes po vazhdon në kafeteri në qytetin e Ferizajt. Ekonomia Online e cila po përcjell me kamerë aksionin, do të sjellë pamjet sapo ato të jenë gati.
Sipas ligjit, i cili ka hyrë në fuqi një dekadë më parë, por nuk është zbatuar në mënyrë rigoroze deri më tani, ndalohet pirja e duhanit në hapësira publike, ku përfshihen lokalet hoteliere dhe shërbyese, hapësirat e punës, mjetet e transportit publik etj.
Ligji për kontrollin e duhanit është miratuar në vitin 2013, ndërsa ndryshimet dhe plotësimet në pjesën e Ligjit ku parashihen gjobat, kanë hyrë në fuqi në fillim të vitit 2022. Për subjektet afariste, gjoba është nga 1 000 deri në 3 000 euro, derisa për personin fizik 30 deri në 50 euro.