Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka bërë të ditur se janë në koordinim edhe me kryetarët e tri komunave të tjera veriore që ata ta japin betimin.
Krasniqi në një prononcim për Klankosova.tv tha se ministria të cilën ai e udhëheq nuk vendos për datën, por vetëm për organizimin e procedurës, siç ka bërë me Mitrovicën e Veriut dhe kryetarin e zgjedhur Erden Atiq.
“MAPL nuk vendos as për datën e as për proceset e tjera. Ne i kemi takuar si ministri katër kryetarët dhe jemi dakorduar që me ta t’i koordinojmë këto procese. Kryetari i Mitrovicës Veriore e ka dërguar ftesën për dhënien e betimit për të premten në orën 11:00 dhe komunat e tjera janë në koordinim e sipër”, është shprehur Krasniqi, njofton Klankosova.tv.
I pyetur se a mund të ketë incidente të premten gjatë betimit të kryetarit të Mitrovicës Veriore, Krasniqi tha se janë kujdesur për procesin.
“Unë si ministër jam përgjegjës për organizimin e procedurës, që ta mbështes kuvendin dhe kryetarin. Këto pjesë s’janë përgjegjësi e ministrisë sonë. Si qeveri jemi të përkujdesur për të gjithë procesin”, tha Krasniqi.