Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka njoftuar të mërkurën kanë marrë vendim që ta mbyllin për qarkullim urën në aksin rrugor Prishtinë – Gjilan, transmeton Gazeta Metro.
Me anë të një postimi në Facebook, Aliu ka bërë të ditur se kjo urë e cila njëherit përballon fluks të lartë lëvizjeje të automjeteve, përbën rrezik në aspektin e sigurisë. Ndaj, ai ka thënë se ura do të jetë e mbyllur deri në hartimin e projektit kryesor të ndërtimit të urës së re.
“Pas formimit të Komisionit Profesional nga MMPHI, është bërë vlerësimi se në aksin rrugor Prishtinë – Gjilan, tek ura e Badovcit, e cila njëherit përballon një fluks të lartë lëvizjeje të automjeteve, e që për shkak të rrezikshmërisë në aspektin e sigurisë, kemi marrë vendimin që këtë urë ta mbyllim përkohësisht, deri në hartimin e projektit kryesor të ndërtimit të urës së re”, ka shkruar ministri.
Ai tutje ka thënë se procedurat për hartimin e projektit kryesor të ndërtimit të urës së re në Badovc do të hapen brenda pak javëve.
“Punimet në Bypass po ecin me ritme të shpejta, ku po punohet intensivisht në asfaltim, rrjedhimisht përmes kontratës së mirëmbajtjes investive ky Bypass do të jetë i asfaltuar dhe gati për lëvizje të automjeteve”, ka përfunduar Aliu.