Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se brenda pak ditësh qeveria do të përcjellë në Kuvend koeficientin e miratuar në kuadër të Projektligjit për buxhetin.
Ndërsa nga Partia Demokratike e Kosovës kanë deklaruar se koeficienti do të duhej të përcaktohej si rezultat i një debati të gjerë dhe jo me ligjin për buxhetin derisa kanë kritikuar mazhorancën sipas tyre për degradim të punës së Kuvendit.
E vlerën e koeficientit që po e presin të gjithë të punësuarit në sektorin publik, nuk ka treguar nëse e di vet shefja e deputetëve të Vetëvendosjes.
Koeficientin besoj shumë shpejtë qeveria brenda pak ditësh, nëse jo këtë javë, javën tjetër gjithsesi do e përcjellë në Kuvend, të miratuar në kuadër të projektligjit për buxhetin, me ç’rast do të bëhet një plotësim ndryshim i projektligjit për buxhetin në mënyrë që të jetë fiks vlera e koeficientit, një praktikë e cila pastaj do e thjeshtësojë shumë punën në trajtimin e pagave dhe koeficienteve në vitet në vijim për arsye se mund të rishikohet në kuadër të projektligjit për buxhetin… Prapë e rezervoj vetën të flas për këtë çështje pa u bë publik vendimi i qeverisë”, ka thënë ajo.
Ndërsa shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se përcaktimi i koeficientit nuk do duhej të jetë nga një individ, por nga debati mes qeverisë dhe sindikatave.
“Përcaktimi i koeficientit do të duhej më ndodh si rezultat i një debati të gjerë mes qeverisë së Republikës së Kosovës dhe akterëve të ndryshëm të shoqërisë sonë, përcaktimi i koeficientit nuk mundet me qenë përcaktim i një individi qoftë ai kryeministër apo ministër, duhet me qenë përcaktim i një debati të gjerë në shoqërinë tonë dhe të arsyetohet pse po vendoset ky koeficient, pra duhet të arsyetohet qartë nga qeveria që se bashku me gjithë këta akterë pse vendosën me qenë kaq vlera e këtij koeficienti. Mirëpo ne e shohim që tani kemi një qeveri që po rrëshqet në drejtim të një autoritarizmi, dhe siç duket kjo i jep një lloj kënaqësie kryeministrit Kurti që të jetë ai në fund që e thotë fjalën e vet dhe që në bazë të asaj fjale do të marrë pagën secili qytetar që paguhet nga buxheti i Republikës së Kosovës”, ka thënë Tahiri.
Sipas tij koeficienti nën 130 euro nuk do të arrijë të sigurojë pagë që ndihmon në kalimin e sfidave në këtë kohë të rritjes së inflacionit.