Milioneri amerikan, Robert Durst, i cili në tetor të vitit të kaluar u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e një gruaje, ka vdekur në burg në moshën 78-vjeçare, tha avokati i tij.
Durst vdiq në një burg në Kaliforni, pasi ishte deklaruar fajtor për vrasjen e mikes së tij, Susan Berman. Ai e kishte vrarë këtë grua që ajo të mos fliste rreth zhdukjes së bashkëshortes së tij. Policia beson se ai kishte vrarë edhe dy persona të tjerë.
Avokati i milionerit, Chip Lewis, konfirmoi se klienti i tij vdiq në Spitalin e Përgjithshëm “San Joaquin” përderisa ishte në ndalim nga Departamenti Korrektues i Kalifornisë.
Sipas avokatit, Durst vdiq nga shkaqet natyrore dhe se ai ka qenë duke vuajtur nga disa probleme shëndetësore.
Në tetor të vitit të kaluar, Durst u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e Susan Berman-it në vitin 2000. Ajo punonte si zëdhënëse e tij dhe mes vete ishin miq.
Prokurorët thonë se milioneri e kishte vrarë edhe fqinjin e tij, Morris Black, përderisa jetonte në arrati në Teksas, nëntë muaj pas vrasjes së Berman-it. Durst kishte pretenduar se e kishte qëlluar fqinjin aksidentalisht para se t’i copëtonte trupin dhe pjesët t’ia hidhte në Gjirin e Galveston-it.