Një pjesë e vogël e të pasurve të mbledhur në Davos u kanë bërë thirrje liderëve botërorë që të trajtojnë krizën e kostos së jetesës duke rritur taksat për njerëz si ata. Ata dolën në rrugë të dielën së bashku me aktivistët e majtë për të bërë thirrje për sisteme më të drejta tatimore në mbarë botën.
Udhëheqësit politikë dhe të biznesit janë në Forumin e parë Ekonomik Botëror që nga fillimi i pandemisë. Por kritikat po shtohen për mënyrën se si të pasurit kanë përfituar në dy vitet e fundit.
Milioneri britanik Phil White tha: “Ndërsa pjesa tjetër e botës po shembet nën peshën e një krize ekonomike, miliarderët dhe liderët botërorë takohen në këtë kompleks privat për të diskutuar pikat e kthesës në histori.
“Është skandaloze që liderët tanë politikë të dëgjojnë ata që kanë më shumë, dinë më së paku për ndikimin ekonomik të kësaj krize, dhe shumë prej të cilëve paguajnë shumë pak taksa. I vetmi rezultat i besueshëm nga kjo konferencë është taksimi i më të pasurve dhe na taksoni neve tani”.
Z. White, i cili përfaqëson një grup të quajtur Milionerë Patriotikë, tha se po i bashkohej fushatave të krahut të majtë dhe kundër varfërisë që bënin thirrje për ndryshim, sepse sistemi aktual ekonomik po dështon.
Gjatë dekadës së fundit, një numër në rritje milionerësh dhe miliarderësh në SHBA dhe Evropë kanë folur hapur, duke u bërë thirrje qeverive që të vendosin taksa më të larta, duke përfshirë taksat e pasurisë për më të pasurit.
Ndërsa vetëm një numër i vogël milionerësh ishin në Davos për të marrë pjesë në protestë, aktivistët u kanë dërguar një letër të hapur të gjithë delegatëve të Davosit, të nënshkruar nga më shumë se 150 milionerë në disa vende.
Mes nënshkruesve të rinj të letrës, e cila u dërgua fillimisht në janar, është aktori amerikan Mark Ruffalo. Ndërsa ndër mbështetësit e mëparshëm të lëvizjes janë edhe trashëgimtarja e Disney Abigail Disney, Nick Hanauer, një sipërmarrës amerikan dhe investitor në gjigantin online Amazon dhe Morris Pearl, një ish-drejtor menaxhues në firmën e investimeve BlackRock.
Marlene Engelhorn, një tjetër milionere në protestë, tha: “Si dikush që kam shijuar përfitimet e pasurisë gjatë gjithë jetës sime, e di se sa e anuar është ekonomia jonë dhe nuk mund të vazhdoj të rri duarkryq dhe të pres që dikush, diku, të bëjë diçka.
“Ne kemi arritur në fundin e linjës kur një çerek miliardë njerëz të tjerë do të shtyhen në varfëri ekstreme këtë vit.”
Organizata bamirëse Oxfam, e cila lëshon një raport mbi pabarazinë gjatë forumit të Davosit çdo vit, pretendon se gjatë dy viteve të fundit një miliarder i ri ishte krijuar çdo 30 orë.
Në anën tjetër të spektrit të të ardhurave, Oxfam pret që rreth një milion njerëz të bien në varfëri ekstreme çdo 33 orë këtë vit, deklaroi drejtoresha ekzekutive ndërkombëtare e bamirësisë, Gabriela Bucher.
“Pabarazia midis vendeve ishte ulur gjatë dy dekadave të fundit. Gjatë pandemisë ishte rritur dhe me ritmet që po shohim tani, duket se po shkon në drejtime ekstreme që po krijojnë këto kushte katastrofike dhe ato reflektohen në jetën e njerëzve”, shtoi ajo.
Çmimet e energjisë filluan të rriten në fund të vitit të kaluar, por u rritën më shumë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Po kështu edhe çmimet për ushqime dhe mallra të tjera janë dukshëm më të larta.
Tensionet gjeopolitike po e bëjnë më të vështirë zgjidhjen e tensioneve mbi tregtinë dhe rritja është ngadalësuar në pjesën më të madhe të botës.
Vendet më të pasura të botës u rritën kolektivisht me vetëm 0.1% në tre muajt e parë të këtij viti, sipas Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, me SHBA-në, Italinë dhe Japoninë që u tkurrën në tremujor dhe Francën që përjetoi rritje zero. Ekonomia e Britanisë së Madhe u rrit me 0.8%.
Përpara takimit të Davosit, kryetarja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva, tha se ekonomia globale po përballet me një “bashkim të fatkeqësive” me fragmentimin e tregtisë.
Në këtë takim marrin pjesë 2000 drejtues, ekspertë dhe njerëz të biznesit, ndërsa temat kryesore në rendin e ditës përfshijnë luftën në Ukrainë, rimëkëmbjen e pandemisë dhe ndryshimet klimatike.