Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka quajtur mike të madhe të Kosovës administratoren e USAID, Samantha Power, e cila që nga dje ka qëndruar në Kosovë.
Kurti ka bërë të ditur se gjatë drekës së punës dhe takimit në kryeministri me Power kanë diskutuar për sigurinë energjetike, tranzicionin energjetik dhe zhvillim të qëndrueshëm, por edhe për zhvillimet e fundit në vend, për qeverisjen, themelimin e Fondit Sovran e për Marrëveshjen Bazike arritur në Bruksel, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Nga fjalët në vepra, së bashku me të dhe me ministren Rizvanolli lansuam ankandin e parë të energjisë solare me kapacitet prej 100 megavat, duke çliruar potencialin energjetik të vendit tonë”, ka shkruar ai.
“Të gjithë e kemi parasysh logon e USAID. Dora që na ndihmoi që të ngritemi nga rrënojat e luftës më shumë se dy dekada më parë, USAID, tani është dora e partnerit të besueshëm në rrugën e pavarësimit nga lëndët fosile, dhe drejt energjisë së pastër”, ka shkruar në fund kryeministri.