Perceptimi i publikut për sistemin gjyqësor dhe atë prokurorial në Kosovë është në nivelin më të ulët ndër vite, thotë drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj.
Ai konsideron se vendi ka nevojë për liderë politikë që me veprimet e tyre të përçojnë mesazhin e respektimit të drejtësisë, e jo ta dëmtojnë atë, si në rastin e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, i cili po refuzon që të jap dëshmi e tij në Prokurorin Speciale.
Ai thekson se nëse organet e drejtësisë do ta zbatonin ligjin dhe Kushtetutën në mënyrë të drejtë, nuk do të krijoheshin situata ku kryeministri “bën hajgare” me drejtësinë.
“Ne e dimë që perceptimi i publikut në sistemin gjyqësor dhe sistemin prokurorial në Kosovë mund të themi është në nivelet më të ulëta me vitet të tëra. Kosova ka pasur dhe ka nevoje për lider politik që në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive të tyre, veprimeve të tyre e përçojnë mesazhin se sistemi i drejtësisë kërkon përkrahje dhe kërkon të respektohet pavarësia e tij. Me këto sjellje kryeministri besoj që është duke i ulur këto vlera, është duke i ulur këto standarde, tash fatkeqësisht e kemi një sistem prokurorial, e kemi një sistem gjyqësor që të vetmen mënyrë për ta mbrojtur pavarësinë e tyre nga akterët e jashtëm përfshirë nga qeveria po e bëjnë përmes komunikatave, deklaratave publike. Në anën tjetër ne presim dhe pritjet legjitime janë që prokurori, gjykatësi, gjykatat, prokuroritë të trajtojnë secilin individ, këtu edhe pozitat e larta në mënyrë të drejte në mënyrë të barabartë para ligjit sikur gjithë qytetarët e tjerë.”
“Kështu që nëse sistemi prokurorial, sistemi gjyqësor do të zbatonin ligjin, kushtetutën në mënyrë të drejte ynë dyshoj që do të vinim në situatë të tilla ku edhe kryeministri në një farë mënyre luan ose bënë hajgare me sistemin e drejtësisë. Secili qytetar i Kosovës nga kryeministri nga pozitat e larta do të duhej të merrte vetëm shembuj të mirë, shembuj që promovojnë demokracinë, sundimin e ligjit, e assesi shembuj të cilët në një far mënyre e shkelin kushtetutën, shkelin ligjin apo ndërtojnë precedent të këqij që minojnë edhe vetë shtetësinë e Kosovës apo atë çka kemi arritur me vitet të tëra”, ka thënë ai.
Sa i përket hapave që mund të ndërmarrin organet e drejtësisë pas refuzimit të Kurtit për të dhënë dëshminë, Miftaraj ka sqaruar se tani mbetet në dorën e prokurorisë dhe gjyqtarit të rastit të vendosin mbi veprimet e mëtejshme.