Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur në një takim nga presidentin i Shqipërisë, Ilir Meta, në kuadër të punimeve të “Forumit të Lirisë Ballkanike”.
Meta, i cili njoftoi për takimin, tha se temë diskutimi ishte rritja e kapaciteteve dhe koordinimi mes dy shteteve për të luftuar trafikimin me qenie njerëzore.
“Zhvillova sot një takim të ngrohtë me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila na nderoi me pjesëmarrjen e saj. Ndamë të njëjtin vlerësim se institucionet e të dyja vendeve, veçanërisht ato ligjzbatuese, duhet të rritin kapacitetet dhe të koordinohen më mirë në luftën e përbashkët kundër trafikut të qenieve njerëzore, si dhe çdo lloj trafiku tjetër, që kërcënon sigurinë kombëtare”, ka shkruar Meta.
Ai shtoi se është tepër i domosdoshëm edhe shkëmbimi i eksperiencave për mbrojtjen ligjore efektive, për të gjitha viktimat e trafikimit, duke u ofruar atyre më shumë akses dhe ndihmë të pakushtëzuar.
Osmani sot ka marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare në Tiranë, me temë “Trendet aktuale të trafikimit të qenieve njerëzore në Ballkanin Perëndimor”.
“Bashkë me senatorë e kongresmenë amerikanë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe të atyre joqeveritare që merren me luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore, diskutuam për trendin aktual në kontekstin shtetëror, rajonal e ndërkombëtar. Trafikimi me qenie njerëzore nuk është vetëm një fenomen që duhet trajtuar nga prizmi ligjor e institucional. Trafikimi do të thotë një mundësi e humbur për zhvillim personal e avancim, një jetë larg bankave shkollore apo familjarëve e më të dashurve – do të thotë vuajtje, dhimbje, e dëshpërim. Ne duhet t’i shkatërrojmë zinxhirët e këtij krimi përpara se ato ta shkatërrojnë fatin e më shumë njerëzve”, ka shkruar Osmani.