Si pasojë e përfshirjes nga zjarri të një veture në parkingun e qendrës tregtare “Albi Mall” në Prishtinë, kanë pësuar edhe gjashtë vetura të tjera, duke bërë që në total 7 vetura të digjen pasditen e së hënës. Fatmirësisht, nga ky aksident nuk ka pasur të lënduar. Sipas të dhënave të para, instalimi elektrik është arsyeja që shkaktoi zjarrin te vetura e parë.
Megjithëse, pronari i veturës e cila ishte përfshirë e para nga flakët kërkoi ndihmë te rojet e sigurimit, lokalizimi ishte i vështirë edhe për shkak të erës që ndihmoi në përhapjen e shpejtë të zjarrit,shkruan Kosovarja-ks.com.
Pronarët e veturave, mbrapa kamerës, i thanë KosovaPress-it se reagimi ishte i vonshëm, ndërsa thanë se dëmet janë dhjetëra mijëra euro.
Hetimet e para, sipas Muharrem Beka, inspektor i parandalimit dhe hulumtimeve dhe shkaqeve të zjarrit pranë Brigadës së Zjarrfikësve, cilësohet si aksidentale.
Beka: Veturat u përfshinë nga zjarri aksidentalisht, shtatë vetura të djegur.
“Nga ajo që kemi parë deri më tash zjarri është aksidental nuk ka dyshime për zjarrevënie të qëllimshme jemi në fazën statike mandej do të fillojmë edhe në fazën tjetër. Vozitësi i veturës deklaron dhe nga ajo që kemi parë të gjithë, gjatë rrugës, e ka vërejtur edhe qytetarët, e kanë paralajmëruar se veturën e ka kapluar zjarri, në momentin që del nga vetura zjarri e kaplon shpejt veturën, zjarri është aksidental nga instalimet elektrike, janë shtatë vetura të përfshira nga zjarri disa me dëme të mëdha, disa më të vogla”, tha Beka.