Prokuroria Speciale e Kosovës konfirmoi të mërkurën se janë arrestuar dy shqiptarë nën dyshimet se kanë kryer veprën penale “spiunazh”.
Ndërkohë, “Radiotelevizioni i Kosovës”, duke cituar burime nga institucionet e sigurisë, raporton se njëri nga të arrestuar është bashkëpunëtor i BIA-s serbe që nga vitet e 90-ta.
“I njëjti, sipas këtyre burimeve kishte si detyrë të mblidhte informata dhe të trillonte me qëllim të njollosjes së imazhit të Kosovës duke ndërtuar narracione të njëjta me Serbinë edhe në kontekstin e ndryshimit të fakteve historike.” – raporton mediumi publik.
Të dyshuarit, sipas mediumit, janë përcjellur që disa vite nga institucionet e sigurisë dhe të njëjtit, i kanë raportuar një zyrtari të shërbimit secret serb i quajtur Sërgjan Rosiq.
“Srdan Rosiq gjatë viteve ’90-ta ka jetuar në Ferizaj derisa ishte i angazhuar si oficer në shërbimin sekret serb. Emri i tij është përmendur edhe në rastin e gjykimit ndaj kryekriminelit serb Slobodan Millosheviq në Tribunalin Ndërkombëtar të krimeve të luftës në Hagë.” – raportohet tutje.