I akuzuari Driton Maloku me vendbanim dhe me shtetësi të Zvicrës e ka pranuar fajësinë lidhur me akuzat për kanosje ndaj deputetes së Kuvendit të Kosovës Ganimete Musliu.
Kjo e fundit gjatë deklarimit të saj ka thënë se i akuzuari nuk ishte i sinqertë kur pranoi fajësinë.
“E pranoj edhe…ka qenë gjendje emocionale, edhe qe s’votoj për Kosovën qe 20 vjet, 2000- tën kom votu niher në jetë tem në Kosovë nuk merrna me politik m’vjen keq ka qenë gjendje emocionale dhe i kërkoj falje deputetes”, tha i akuzuari Maloku
Ndërsa e dëmtuara Musliu tha se vlerësonte iniciativën për kërkim falje nga ana e të akuzuarit Maloku, por sipas saj pranimi i fajësisë ishte i pa sinqertë.
“E vlerësoj iniciativën për kërkim falje por edhe unë vërejta josinqeritetin në kërkim falje, ky pranim i fajësisë është i pa sinqertë”, tha e dëmtuara Musliu.
E njëjta po ashtu tha se përveç kanosjes me jetë i akuzuari Maloku kishte tentuar edhe ta shantazhojë sepse mesazhi që kishte pranuar sipas të njëjtës përmbajtje shantazhuese që të mos paraqiste rastin para organeve të drejtësisë.
Ndërsa edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Faton Fetahu tha se e kundërshtojnë në tërësi pranimin e fajësisë pasi nuk ishte i sinqertë duke kërkuar nga gjykata mos aprovimin e pranimit të fajësisë sepse i akuzuari Maloku nuk kishte kanosur një person të zakonshëm por një deputete të popullit në Kuvendin e Kosovës.
Po ashtu i njëjti tha se dukuria e kanosjes së figurave të larta shtetërore ishte në rritje të vazhdueshme dhe në këtë rast avokati kërkoi nga gjykata që t’i japë përgjigje kësaj dukurie përmes gjykimit të këtij rasti i cili do të shërbejë si shembull i mirë i praktikes gjyqësore ku personat të cilët me dashje kanosin të përzgjedhurit e popullit të marrin dënim meritor.
Paraprakisht mbrojtësi i të akuzuarit Maloku, avokati Skender Musa tha se pranimi fajësisë ishte bërë në përputhje me dispozitat ligjore dhe pas një konsultimi të mjaftueshëm me të mbrojturin e tij.
Avokati Musa po ashtu kërkoi nga gjykata se gjatë matjes së dënimit që të kenë parasysh faktin e pranimit të fajësisë, shprehjes së keqardhjes, kërkim faljes duke i propozuar gjykatës që ndaj të akuzuarit Maloku të shqiptohet një dënim i kushtëzuar sepse nuk ekziston rreziku që i njëjti të përsëris vepër të ngjashme.
Ndërsa pranimi i fajësisë nuk u kundërshtua as nga prokurorja Zana Sadiku-Sertolli e cila gjykatës i propozoi që të njëjtin ta shpall fajtor dhe t’i shqiptojë dënim meritor duke marrë parasysh si rrethanë lehtësuese pranimin e fajësisë ndërsa si rrethanë rënduese të marrë parasysh shkallen e dashjes për të kryer veprën penale.
Pranimi i fajësisë u aprovua nga gjykatësi Driton Berisha pasi ishin plotësuar kushtet ligjore dhe se që sipas tij nuk kishte shkelje ligjore.
Shpallja e aktgjykimit lidhur me këtë çështje penale do të bëhet më 7 gusht 2023.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 18 maj 2023 me datë 23 dhjetor 2022 rreth orës 17:16, derisa e dëmtuara Ganimete Musliu ishte në veturën e saj në lagjen e “Spitalit” në Prishtinë, i akuzuari Driton Maloku përmes telefonit mobil e kanos të dëmtuarën Ganimete Musliu në cilësinë e deputetes së Kuvendit të Kosovës me fjalë “A je ti Ganimetja, ty duhet me te zhduk” e pas disa minutash rreth orës 17:35 i dërgon një mesazh përmes telefonit mobil me tekstin “Përshëndetje Ganimete, Aje tu ma kry qat pun me shti qat personin ne pun per qka je pagu a po i kthen qato 20,000.00 euro qe mi ke mar për me kry pun”, me çka tek e dëmtuara Ganimete Musliu ka shkaktuar ndjenjën e frikës, ankthit dhe pasigurisë për jetën dhe trupin e sajë.
Me këtë i akuzuari Maloku akuzohet se ka kryer veprën penale kanosja nga neni nga neni 181, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Dënimi maksimal për këtë vepër penale parashihet pesë vite burgim. /BetimipërDrejtësi