Marrja ose rrëmbimi i kundërligjshëm i fëmijës nga prindi, kujdestari apo ndonjë person tjetër që ushtron të drejtën prindërore mbi fëmijën nga enti të cilit i është besuar fëmija përbën vepër penale dhe dënohet me burgim. Për një rast të tillë ka nisur hetimet Prokuroria Themelore në Prishtinë, pas denoncimit të një nëne nga Podujeva.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije detaje për rastin, i cili u denoncua nga një grua, që raportoi se burri i saj i ka marrë fëmijët e vegjël pas një mosmarrëveshje që kishin pasur dhe bashkë me ta ka udhëtuar për në Gjermani.
Siç mëson Sinjali, i dyshuari R.I., po dyshohet se i ka marrë dy fëmijët e tyre, pa miratimin e nënës së tyre, gjë që e ka shqetësuar viktimën jashtëzakonisht shumë dhe ka kërkuar ndihmë nga Policia.
Si rezultat i denoncimit, Policia ka nisur hetimet, me ç’rast është kuptuar se dy fëmijët janë larguar nga Kosova me të atin para dy ditësh.
Pas përfundimit të procedurave policore, burri i dyshuar, i cili jeton në Gjermani është futur në listën e personave të kërkuar dhe posa të hyjë në Kosovë do të përballet me ligjin.
Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës kushdo që kryen këtë vepër penale mund të dënohet deri në 3 vjet burgim.