Diaspora kosovare është renditur e treta në botë sa i përket dërgimit të parave në vendin e origjinës në vitin 2021.
Sipas vlerësimeve nga përmbledhja e Bankës Botërore për Migrimin dhe Zhvillimin, niveli i remitencave ka qenë 16.7 për qind e GDP-së.
Sipas tabelës së Bankës Qendrore, nga periudha janar – gusht gjithsej 860.4 milionë është vlera e dërgesave nga jashtë vendit për në Kosovë
Në anën tjetër, përmbledhja e Bankës Botërore për Migrimin dhe Zhvillimin që u publikua sot thotë se remitecat drejt vendeve me të hyra të ulëta dhe të mesme pritet të jenë rritur për 7.1 për qind, duke kapur vlerën prej 587 miliardë dollarë amerikanë në vitin 2021, shkruan Kallxo.com.
Sipas vlerësimeve të tyre, ky kthim në rritje është më i fuqishëm se vlerësimet më të hershme dhe vjen në vazhdën e reziliencës së flukseve në vitin 2020, kur remitancat ranë për vetëm 1.9 për qind, përkundër recesionit të rëndë global për shkak të COVID-19.
Tutje thonë se për të dytin vit radhazi flukset e remitencave drejt vendeve me të hyra të ulëta dhe të mesme (përjashtuar Kinën) pritet ta tejkalojnë shumën e investimeve të huaja direkte (IHD) dhe të ndihmës së huaj zhvillimore.