Bajram Shala, menaxheri i kombëtares së Kosovës, ka folur për Top News dhe ka shprehur shqetësimin se si Federata Shqiptare e Futbollit po vepron në lidhje me ftesën e futbollistëve nga Kosova.
Ai po ashtu ka folur edhe për rastin e Mirlind Dakut dhe të Arbnor Mujës.
“Kemi pakënaqësi të brendshme dhe duhet të kemi, sepse është stërtepruar. Ne i kemi kuptuar kur FSHF-ja u është ofruar lojtarëve me prejardhje nga Kosova dhe iu ka ofruar shansin të luajnë për Shqipërinë, por të merren futbollistë që kanë luajtur për Kosovën në miqësore, kjo është përtej reprocitetit dhe bashkëpunimit të dy federatave. Kjo është përtej frymës sportive. Dy futbollistët e fundit (Mirlind Daku dhe Arbnor Muja) ishin pjesë të ekipit tonë kombëtarë edhe në grupmosha, ndërsa Shqipëria i afroi duke punuar prapa shpinës sonë dhe joshur ata”, shtoi Shala.
Bajram Shala po ashtu u shpreh se disa futbollistë të kombëtares shqiptare kanë shprehur dëshirë për të qenë pjesë e Kosovës në momente të ndryshme të karrierës së tyre.
“Kemi pasur disa raste kur futbollistë nga Shqipëria kanë shprehur dëshirë për të qenë pjesë e Kosovës në momente të ndryshme të karrierës së tyre, por për shkak respekti ose të themi fair-play me Federatën Shqiptare ne nuk i kemi afruar ata futbollistë. Ata na janë vetëofruar por s’dua t’ua përmend emrat që t’i vendos në ndonjë pozitë të palakmueshme dhe të gjykohen në Shqipëri. Kemi pritur një trajtim të njëjtë, por nuk ka ndodhur”, ishin fjalët e menaxherit të kombëtares.
Mirlind Daku dhe Arbnor Muja u bashkuan me kombëtaren shqiptare në ndeshjet e shtatorit, ku Daku debutoi me gol në ndeshjen ndaj Polonisë me fanellën e kombëtares shqiptare.