Kreu i PDK-së Memli Krasniqi ka mirëpritur ndërtimin e dy autostradave në Maqedoninë e Veriut, atë të Korridorit 8, Tetovë-Gostivar-Kërçovë-Strugë – Qafëthanë (Shqipëri) dhe tjetrën të Korridori 10-D.
Krasniqi në një postim në Facebook ka përgëzuar politikën shqiptare, me theks të veçantë kreun e BDI-së, Ali Ahmetin si dhe zëvendëskryeministrinë shqiptar Artan Grubi.
Tutje Krasniqi ka kritikuar qeverinë e Kosovës, për siç thotë ai do të kaloj mandatin pa asnjë projekt madhor në fushën e infrastrukturës.
Postimi i plotë:
Është lajm shumë i mirë fillimi i projektit për ndërtimin e korridorit 8 në Maqedoni të Veriut – autostradës moderne që pritet të lidhë vendbanimet shqiptare prej Tetovës, Gostivarit, Kërçovës, Bokujçanit, Strugës e deri në Qafëthanë.
Me një gjatësi prej 68 kilometrave, kjo autostradë me gjashtë korsi, do të ndikoj jashtëzakonisht shumë në lidhjen, afrimin dhe fuqizimin e shqiptarëve të cilët jetojnë nëpër këto qytete.
Përgëzoj faktorët politikë shqiptarë në Maqedoni të Veriut, në krye me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, por edhe Zëvendës Kryeministrin Artan Grubi, të cilët po bëjnë një punë shumë të rëndësishme për shqiptarët që jetojnë atje.
Fatkeqësisht, të njëjtin ritëm të punës dhe zhvillimit nuk po e përjetojmë në Kosovë. Qeveria e cila është zgjedhur për të punuar, me përjashtim të urës 3-metërshe në Saradran të Istogut, ka vendosur ta kaloj mandatin e saj pa asnjë projekt që përmirëson konkretisht dhe denjësisht jetën e qytetarëve tanë.