Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka konfirmuar se do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga lideri i koalicionit Vetëvendosje-Guxo-Alternativa, Albin Kurti, përpara seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës që pritet të mbahet nesër, shkruan Gazeta Papirus.
Në një deklaratë publike, Krasniqi thekson se vendi ndodhet në një situatë që kërkon urgjentisht zhbllokim institucional dhe rikthim të funksionimit normal të Kuvendit, si dhe respektim të afateve kushtetuese për themelimin e Qeverisë së re. Ai ka bërë të ditur se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës për dialog, duke theksuar nevojën për reflektim dhe përgjegjësi nga të gjitha palët.
“Kosova ka nevojë për një Kuvend dhe Qeveri legjitime sa më parë,” u shpreh Krasniqi, duke shtuar se gjetja e një kandidati apo kandidateje që gëzon mbështetjen e shumicës së deputetëve do të ishte hap i rëndësishëm drejt stabilitetit politik.
Lidhur me çështjen e nënkryetarëve të Kuvendit, ai nënvizoi se kjo është një e drejtë kushtetuese e padiskutueshme. Ai siguroi se PDK do të veprojë me përgjegjësi dhe seriozitet institucional, në përputhje me interesin shtetëror dhe qytetar.
Qëndrimet e plota të PDK-së pritet të bëhen publike nesër gjatë një konference për media, pas përfundimit të takimit me Kurtin./GazetaPapirus