Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka vizituar sot Komunën e Mitrovicës ku bashkë me kryetarin Bedri Hamza kanë takuar qytetarë të prekur nga vërshimet e djeshme.
“Edhe në këtë komunë dëmet materiale janë shumë të mëdha. Ringritja e infrastrukturës publike dhe kompensimi i të gjitha dëmeve që qytetarët kanë pësuar, kërkojnë reagimin urgjent të Qeverisë së Kosovës. Dërgimi i ekipeve emergjente për të sanuar gjendjen, mbështetja e qytetarëve me asistencë shëndetësore, pako ushqimore, strehim dhe rikuperimi i dëmeve materiale duhet të bëhet shpejtë dhe pa humbur kohë”, tha Krasniqi.
Ai tha se në këto ditë të vështira për të gjithë Kosovën, asnjë qytetar i vendit nuk duhet të lihet i vetëm dhe pa mbështetjen e shtetit.