Kryetari i PDK’së, Memli Krasniqi, ka thënë se seanca për konstituimin e kuvendit ka dështuar për dy arsye. Arsyeja e parë sipas tij është se koalicioni nuk e kishte shumicën e nevojshme parlamentare. Ndërsa si arsye të dytë, Krasniqi e radhit “insistimin” për të mbajtur postet qeveritare dhe për t’u betuar si deputetë, transmeton Gazeta Papirus.
“Larg manipulimeve dhe tymnajës që po tentohet të krijohet nga qeveritarët në largim, situata është më se e qartë. Seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dështoi sot për dy arsye të vetme: E para: Koalicioni VV-Guxo-Alternativa nuk e kishte shumicën e nevojshme parlamentare, sepse vetëm 52 deputetë votuan sipas kërkesës së tyre. E dyta: Insistimi i tyre për të mbajtur pozitat qeveritare dhe njëkohësisht për t’u betuar si deputetë, pa dhënë dorëheqje zyrtare, është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Qeverinë, të cilin ligj e kanë hartuar vet.:
Krasniqi e ka ftuar Qeverinë në detyrë që të japë dorëheqje zyrtare nga postet qeveritare, të vijnë menjëherë në seancë që ta konstituojnë kuvendit dhe pastaj të vazhdohet me fazat tjera për themelimin e qeverisë.
“Në vend se të kërkojnë zgjidhje kundërkushtetuese për një situatë që e kanë krijuar vetë, është koha që të sillen me përgjegjësi. PDK nuk do të mbështesë asnjë proces që bie ndesh me Kushtetutën, siç u tentua të ndodhte sot, andaj i ftojmë qeverinë në detyrë, që: 1. Të japin dorëheqje zyrtare nga pozitat qeveritare; 2. Të vijnë menjëherë në seancë që ta konstituojmë Kuvendin; 3. Pastaj vazhdojmë me fazat e tjera kushtetuese për themelimin e Qeverisë”
PDK kërkon formim sa më të shpejtë të institucioneve të reja dhe demokratike në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit.
“Kosova ka nevojë për institucione të ligjshme, funksionale dhe të dala nga vullneti i qytetarëve – jo për improvizime jokushtetuese dhe lojëra politike që e vonojnë formimin e tyre. PDK kërkon formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja dhe demokratike, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit.”