Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës ka folur në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet rritja e çmimeve në Kosovë.
Krasniqi fillimisht i ka replikuar shefës së deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari-Lila e cila tha se në Kosovë nuk ka krizë, shkruan lajmi.net.
“Normalisht që kemi ardhë të përgatitur për disa propozime konkrete dhe diskutime konkrete, por tash që e dëgjova kolegën Kusari-Lila, po mendoj që kemi gabuar, z.Abdixhiku me u tërheqë se kemi bërë gabim. Na falni, ne i paskemi punët më mirë se Franca, ju a po jetoni në një realitet tjetër, a keni dalë ndokush në terren nëpër qytete e fshatëra, e atyne tregonju qysh nuk paska krizë.”, tha Krasniqi.
Më tutje, Krasniqi ka folur lidhur me refuzimin e mazhorancës për të diskutuar në Kuvend, duke thënë se ata nuk po mund ta kuptojnë që opozita mendon për qytetarët. Ai më tutje ka treguar disa shifra të rritjes së çmimeve në Kosovë.
“Nuk po e kuptoj qasjen e juaj sepse ju po shkoni me refuzim duke menduar se gjithçka është betejë politike dhe asnjëherë nuk e patët kurajën me besu që opozita e kësaj qeverie mendon për qytetarin edhe kur ju harroni. A mundemi me folë për disa numra? Para se gjithash është thirrë një seancë e jashtëzakonshme sepse gjendja është gati e jashtëzakonshme dhe veç ju nuk po e kuptoni. Du me ua përmend disa shifra që me kënaqësi po i thuani. Në vitin 2021 mesatarja e rritjes së çmimeve ka qenë 3.4%, mirë nuk është. Nuk është faji juaj? Pa dyshim që nuk është i juaji. Tash veç prej janarit në shkurt inflacioni është 1.1 përqind, e prej shkurtit të vitit të kaluar, inflacioni është 7.5 përqind.”, tha Krasniqi.
I pari i PDK-së i tha qeverisë së fajin për ngritjen e çmimeve nuk e kanë vetëm ata, por mbajnë fajin për mosballafaqimin me këto sfida.
“Ju nuk e keni fajin kryesor, por ju keni faj që keni marrë detyra që s’dini me i kry. Për një periudhë 3 mujore po iu përsëritet historia e njëjtë. Njëjtë si për energji që nuk patët kurrëfarë plani, njëjtë as për këtë krizë, s’patët kurrëfarë plani. Ne e dimë se fajin kryesor e ka agresioni rus, por pyetja është çfarë keni bërë ju të ballafaqoheni me këtë krizë? Puna e qeverisë është e përcaktuar me ligj, por ka edhe detyra që s’janë të përcaktuara me ligj. Qytetarët e Kosovës që në mëngjes e blejnë me 1.79 cent e në mbrëmje me 3.49 siç ka thënë kryeministri. Po reagoni me vonesë dhe në këso situata, reagimi bën dëm edhe më të madh.”, tha Krasniqi.
“Ju keni konstatuar se kjo është kostoja e lirisë dhe demokracisë, nëse është ashtu, po e paguajmë koston, por mos të jetë aty edhe kosto e paaftësisë së juaj. Prej kur është shtrejtuar energjia, qytetarët janë të shqetësuar se si të paguhet ajo. Asnjë hap nuk është marrë për rritjen e pagave, as në sektorin publik e as atë privat. As paga minimale nuk është përcaktuar. Nëse shifra është ajo që ka dalë këto ditë, mos e bëni. Prap po them, kjo krizë është pasojë e luftës në Ukrainë, por ne këtë gjë e kemi mësuar në të njëjtën ditë të gjithë. Ju do të duhej ta kishit paralajmëruar, paraprirë e kuptuar më herët dhe për ardhjen e krizës t’i kishit njoftuar edhe qytetarët.”, tha Krasniqi. /Lajmi.net/