Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, në fjalën e saj në Samitin e Komunitetit Politik Europian që u mbajt në Tiranë, përshëndeti mikpritjen dhe shprehu vlerësim për mënyrën e organizimit të samitit. Ajo u ndal fillimisht te videoja krijuar me inteligjencë artificiale ku liderët europianë shfaqeshin si fëmijë, duke e përshkruar si një moment të këndshëm dhe origjinal.
“Më lejoni të falënderoj Edi, jo vetëm për mikpritjen e bukur, por më ka bërë të ndihem më e re sërish me atë videon që u shfaq që në momentin e parë”, tha Meloni.
Ajo përgëzoi Ramën për mandatin e katërt si kryeministër, duke theksuar: “Dëshiroj sërish të uroj Edin për rizgjedhjen e tij si udhëheqës i Shqipërisë. Europa mund të mbështetet te këmbëngulja dhe vendosmëria e tij.”
Duke u ndalur te rëndësia e këtij samiti, Meloni nënvizoi se Shqipëria është pjesë e Europës, pavarësisht statusit në BE.“Shqipëria është sigurisht Europë, ashtu si Italia, Serbia apo Norvegjia, pavarësisht nëse je pjesë e një organizate të caktuar. Të gjitha ato shtete që janë në këtë tryezë janë po aq europiane sa ato që janë pjesë e BE.”
Ajo theksoi se procesi i ribashkimit të Europës nuk mund të përjashtojë Ballkanin Perëndimor. “Fakti që ne jemi këtu sot do të thotë që po ndërmarrim një hap përpara në këtë proces të ribashkimit të Europës, sepse nëse duam ta ribashkojmë Europën, nuk mund ta bëjmë pa Ballkanin Perëndimor“, shtoi ajo.
Sipas saj, integrimi i plotë i rajonit është vendimtar për sigurinë e kontinentit:“Zgjerimi do të thotë edhe sfida të reja, por jam e bindur që integrimi është vetëm për të mirën e sigurisë së Europës, duke marrë parasysh ç’po ndodh në kufijtë tanë.”
Meloni u ndal edhe te agresioni rus në Ukrainë dhe ndikimi i tij në rendin ndërkombëtar. “Pasojat që i ka shkaktuar rendit ndërkombëtar agresioni rus, vazhdojnë të sjellin efekte destabilizuese. Për këtë arsye do të zgjedhim të qëndrojmë krah ukrainasve dhe do të vazhdojmë të bëjmë të pamundurën që kjo luftë të marrë fund menjëherë, sepse siguria jonë varet nga restaurimi i forcës së ligjit dhe jo nga kush mendon se është më i fortë“, shtoi më tej.
Ajo përcolli një mesazh të drejtpërdrejtë për presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. “Volodymyr, ne e duam lirinë tuaj, siç e do dhe populli i Ukrainës. Ne e pamë dhe dje që ishit të gatshëm në negociata.”
Në përfundim, Meloni tha se për të folur për një Europë të bashkuar, duhet rikujtuar identiteti i përbashkët europian: “Të flasësh për një Europë të bashkuar në këtë Europë të re, duhet të kujtojmë se cilat janë themelet tona dhe kush jemi ne.”/GAZETA PAPIRUS/