Ju Ish-kryediplomatja kosovare, Meliza Haradinaj-Stublla ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet t’i ofrojë menjëherë mbrojtje të armatosur 24 orë politikanes serbe, Rada Trajkoviq.
Kreu i radikalëve të Serbisë, Vojislav Sheshel, ka kërcënuar haptas me jetë politikanen serbe, Rada Trajkoviq. Haradinaj, thotë se Qeveria e Kosovës duhet t’i sigurojë mbrojtje Trajkoviqit pas kërcënimeve që po i merr nga Beogradi.
“E VËRTETA nga Rada Trajkoviq: “Vuçiq dhe kreu i mafies veriore të Kosovës vendosën që serbët të largohen nga institucionet e tyre legale dhe legjitime, në mënyrë që bandat mafioze ta kontrollojnë veriun. Qeveria e Kosovës duhet t’i ofrojë menjëherë mbrojtje të armatosur 24 orë Radas pas kërcënimeve publike me jetë të Sheshelit ndaj saj!”, ka shrkuar ajo.
Trajkoviq së fundmi i shprehu në një intervistë komentet për situatën në veri të Kosovës.
“Presidenti i shtetit me kreun e mafies për veriun e Kosovës merr vendim që serbët të largohen nga institucionet legale dhe legjitime, që policia e armatosur ligjërisht dhe legjitime të largohet nga pozitat e veta dhe që në thelb, veriu i Kosovës në këtë moment është i kontrolluar nga mafia”, ka thënë Trajkoviq.
Sheshel ka akuzuar Trajkoviqin se bashkëpunon me Qeverinë e Kosovës, e më pas ka folur për mundësinë që ajo të vritet, si politikani serb i Kosovës, Oliver Ivanoviq.
Ky është konsideruar kërcënim i hapur që Sheshel po ia bën publikisht politikanes, që kundërshton pushtetin serb.
Oliver Ivanoviq është vrarë në vitin 2018 në veri të Kosovës. Ndër të dyshuarit për vrasjen e tij është edhe Milan Radojqiq, dikur i njohur si “nëntoka” e veriut, që së fundmi mbahet afër nga Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq. Radojqiq është i arratisur në Serbi, pasi autoritetet kosovare kanë lëshuar fletarrest ndaj tij.