Melania Trump, modelja e suksesshme sllovene që rikthehet si Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, u vendos në qendër të vëmendjes që në vitin 2016, kur bashkëshorti i saj, Donald Trump, u zgjodh president për herë të parë. Me rikthimin e saj në Shtëpinë e Bardhë, korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas Iglesias i hedh një vështrim jetës së saj dhe disa pritshmërive lidhur me të.
Prindërit e quajtën Melanija Knavs. Bota e njohu atë në rolin e Zonjës së Parë të Shteteve të Bashkuara, Melania Trump.
Ajo ka lindur më 26 prill 1970 në Novo Mesto, Slloveni, pjesë e ish-Jugosllavisë. Gjatë fëmijërisë së saj në qytetin e Sevnicës, babai i saj shiste makina, ndërsa nëna e saj punonte në industrinë e tekstilit.
Melania Knavs ishte megjithatë e interesuar për modën, kujton ish-shoqja e saj e shkollës, Mirjana Jelancic.
“Asaj i pëlqente gjithashtu të krijonte veshje të reja nga ato të vjetra”, thotë zonja Jelancic.
Ajo ndërpreu studimet universitare dhe me emrin e ri Melania Knauss, ndoqi karrierën e modeles në Evropë. Në vitet 1990, suksesi i saj e solli atë në Shtetet e Bashkuara.
“Si një modele mode dhe dikush që ftohej shpesh në festat luksoze në Nju Jork, me sa kuptoj kështu u takua me Donald Trump-in”, thotë profesorja e historisë Katherine Jellison, nga Universiteti i Ohajos.
Melania Knauss u bë Melania Trump më 22 janar 2005 dhe lindi djalin e saj të parë dhe të vetëm, Barron, një vit më vonë. Në të njëjtin vit, ajo u bë edhe shtetase amerikane.
Jeta e Melania Trump-it mori një kthesë tjetër kur burri i saj kandidoi për president i Shteteve të Bashkuara në vitin 2016 me Partinë Republikane dhe ajo iu bashkua atij në fushatën elektorale.
“Është e mrekullueshme të jem këtu sot me ju dhe me bashkëshortin tim. Jam shumë krenare për të”, tha ajo në atë kohë.
Donald Trump-i bëri betimin si presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara në janar të vitit 2017.
Si zonja e parë, Melania Trump bëri udhëtime në mbarë botën
dhe ndërmori projekte si fushata “Bëhu më i miri” që fokusohet në mirëqenien e fëmijëve, sigurinë në internet dhe abuzimin me opioidet.