Kurdoherë që ka ndonjë ndërhyrje të shtetit në veri të Kosovës, ministra, deputetë e qytetarë të ndryshëm i mbushin rrjetet sociale më fotografi të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Këtij “yryshi” nuk kishte si t’i ikte as deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci. Ai ra pak në lajthitje, sepse nuk postoi fotografi me pjesëtarë të thjeshtë të Policisë së Kosovës që po përballën me bandat kriminale serbe në veri, por me dy shokë të tij për të cilët Demokracia.com ka mësuar se ai loboi gjatë te pushteti i Vetëvendosjes, deri që të dy u bënë “shefa” në Policinë e Rajonit të Prishtinës.
Mefail Bajqinovci e postoi një fotografi me dy shokët e tij policë, Fehmi Gjata, që tani është bërë Drejtor Rajonal i Policisë për Rajonin e Prishtinës dhe Bekim Bislimin, që është bërë Drejtor i Operativës për këtë rajon.
Dy eprorët me të cilët Bajqinovci postoi sot fotografinë, erdhën në krye të policisë së kryeqytetit pas një rasti shumë të dyshimtë.
Ata u emëruan nga këto pozita pas shkarkimeve për rastin e përdhunimit të vajzës së mitur 11-vjeçare në Prishtinë.
Demokracia.com ishte mediumi i parë që menjëherë pas publikimit në media të rastit të 11-vjeçares raportoi se ajo edhe më parë kishte qenë viktimë e trafikimit dhe se Policia kishte dështuar ta mbronte vajzën e mitur. Por, e vërteta është që Qeveria Kurti i avancoi pikërisht dy zyrtarët kryesorë që dështuan ta mbrojnë viktimën e që janë shokët policë të deputetit Mefail Bajqinovci, që tani edhe po poston fotografi me ta.
Kurti u lavdërua me shkarkimin e disa zyrtarëve të Policisë, por në vend të tyre u emëruan pikërisht personat që kishin më së shumti përgjegjësi në rastin e vajzës 11-vjeçare.
Nënkoloneli Fehmi Gjata në kohën kur kishte ndodhur trafikimi i vajzës ishte duke drejtuar pikërisht Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore. Kjo drejtori, sipas burimeve të Demokracia.com, ka qenë duke u marrë me rastin e trafikimit dhe keqpërdorimit seksual që i ishte bërë të miturës që nga muaji qershor, porse nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim për mbrojtjen e saj.
Ndërsa, majori Bekim Bislimi në atë kohë ishte në krye të Stacionit të Veriut, ku dy herë radhazi ishte denoncuar rasti i të miturës.