Në mbrojtje të lirisë së medias, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, me përkrahjen e medieve dhe organizatave të shoqërisë civile, ka njoftuar për organizimin e një proteste që synon të shprehë shqetësimin e medieve në Kosovë lidhur me pezullimin e certifikatës së biznesit të televizionit të njohur “Klan Kosova” nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Në kohën kur liria e mediave është jashtëzakonisht e rëndësishme, protesta tregon vullnetin për të mos qëndruar indiferentë ndaj sfidave me të cilat po përballet gazetaria në Kosovë.
Protesta, e cila është paralajmëruar të mbahet më 31 korrik, do të fillojë në ora 12:00 në Sheshin “Zahir Pajaziti”.
Motoja e kësaj proteste është “Demokracia vdes në errësirë,” e cila shpreh qartë shqetësimin e gazetarëve dhe shoqërisë civile për ndikimin politik në mediat e Kosovës.
NJOFTIMI I PLOTË:
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me mbështetjen e medieve dhe organizatave të shoqërisë civile, më 31 korrik, e hënë, do të mbajë protestë në shenjë revolte për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosova nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Protesta me moton “Demokracia vdes në errësirë”, do të fillojë në ora 12:00, në Sheshin Zahir Pajaziti.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i fton kolegët gazetarë, kameramanë e fotoreporterë, t’i bashkohen protestës paqësore të hënën.