“Kosova nuk do të kërkojë anëtarësimin në Kombet e Bashkuara pa pëlqimin e qartë të pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së – Francës, Britanisë së Madhe, SHBA, Rusisë dhe Kinës”, pretendon gazeta serbe “Nova” se shkruan në një dokument të siguruar ekskluzivisht nga ajo, i cili është hartuar nga diplomatët që punojnë në Udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes Evropiane normalizim të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas kësaj gazete, “në këtë mënyrë tentohet që t’i gjendet zgjidhje për kundërshtimin e Serbisë për pranimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare, përfshirë edhe OKB-në, që interpretohet si njohje joformale e pavarësisë”.
Pëlqimi i Serbisë për pranimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare parashikohet në pikën 4 të projektmarrëveshjes dhe është kundërshtimi kryesor i Serbisë. Gazeta “Nova” pretendon se ka marrë përgjigje nga diplomatëve evropianë për këtë vërejtje të Serbisë, e cila do të jetë pjesë e Udhërrëfyesit për zbatimin e marrëveshjes.
“Autoritetet serbe pretendojnë se fakti që Serbia nuk duhet ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në OKB paraqet shkelje të qëndrimit themelor të Serbisë për të mos njohur Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur. Sipas mendimit të tyre, anëtarësimi në OKB është ekskluzivisht për shtetet sovrane dhe të pavarura, prandaj, pëlqimi nënkupton njohje indirekte”, ishte përgjigjja që pretendon gazeta që e ka marrë.
Në këtë mënyrë, siç thonë diplomatët evropianë, pranohet rëndësia e Rusisë dhe Kinës si lojtarë gjeopolitikë dhe është një gjest simbolik ndaj Moskës dhe Pekinit. Ata besojnë se në këtë mënyrë plotësohet ndjeshmëria e Serbisë për anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe theksojnë se Kosova nuk fiton asgjë nëse aspiron anëtarësimin në OKB pa pëlqimin e shprehur të pesëshes së përhershme.