Futbollisti nga Kosova, Granit Xhaka ka deklaruar e nuk duhej ta kishte bërë simbolin e shqiponjës dykrenare në ndeshjen kundër Serbisë në vitin 2018.
Zvicra kishte fituar 2:1 kundër Serbisë në Kupën e Botës, falë golave të dy futbollistëve shqiptarë, Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit, shkruan FrontOnline.
Dy futbollistët kishin festuar duke e bërë shqiponjën me duar, festim që kishte ngjallur reagime të shumta dhe vazhdimisht komentohet edhe sot.
Xhaka ka dhënë së fundmi një intervistë për mediumin zviceran “Blick”, ku mes tjerash tha se nuk duhej ta kishte bërë atë festim.
“Gjithçka shkoi mirë në ndeshjen ndaj Serbisë. Përveç shqiponjës. Nuk duhej ta kisha bërë këtë”, tha ylli i Arsenalit.
“Blick” e arsyetoi “shqiponjën e Xhakës” duke përmendur faktin se babai i tij, Ragipi, ishte një i arrestuar politik nga forcat serbe. Ai ishte i dënuar me tre vjet burg.
“Ajo që përjetoi babai im është diçka që nuk do t’ia dëshironi askujt. Deri më sot e di vetëm gjysmën e kësaj historie të tmerrshme. Kur isha njëzet vjeç, doja të dija çdo detaj. E pyeta dhe e pyeta derisa babai im iku sepse nuk duronte më. Tani e di që duhet të jem i kujdesshëm. Ishte një kohë e keqe për të”, tha kapiteni i “Helvetikëve”.
Ndryshe, mediat në Serbi i kanë bërë jehonë këtij lajmi.
“Telegraf.rs” ka raportuar për këtë deklaratë të futbollisti të lindur në Prishtinë. Me titull: “Nuk duhej të provokoja kështu serbët”.