Një incident është shënuar mëngjesin e së mërkurës në rrugën “Zenel Salihu” në Prishtinë. Insajderi raportoi me burime se ka ndodhur në Agjencinë për Informim dhe Privatësi.
Kaltrina Ibishi, zyrtare në Agjencinë për Informim dhe Privatësi, ka raportuar në Polici se është sulmuar fizikisht nga Gjyzel Shaljani, 63-vjeçare, zyrtare e lartë në Ministrinë e Arsimit, përgjegjëse për komunitetin rom.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar me Gjyzel Shaljan, e cila ka mohuar se e ka sulmuar Ibishin.
E gjithë ngjarja sipas Shaljanit ndodhi pasi ka shkuar në zyrën e Ibishit për të biseduar pasi kishin pas një problem me një kontratë për përkthime.
Por, që thotë se u ofendua nga Ibishi me terma racist dhe më pas edhe u sulmua fizikisht.
“Kam shkuar në zyre për të marrë sqarime për një problem që kishim për një punë përkthimesh. U ula në karrigë e prita atë, kur hyra brenda ajo bëri se nuk më njeh dhe me pyet se kush jam unë. Ajo më ka fy duke më thënë magjupe dhe ma mshoi shuplakë. Unë ia kapa syzat desha me ia thy, por nuk munda sepse ajo ishte e gjatë. Ndoshta e kam dëmtuar lëkurën e saj duke marrë syzet dhe ajo thirri policinë. Nuk kam shkuar me sulmu por me bisedu”, tha ajo për Insajderin.
Ndërkohë zdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, tha sepolicia ka dalë në vendin e ngjarjes pasi ka pranuar informatën për sulm fizik, ka intervistuar palët e përfshira dhe dyshimet janë ngritur se gjithçka ka ndodhur si pasojë e një mosmarrëveshjeje të mëhershme.
“Me rekomandimin e prokurorit të shtetit është iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe hetimi vijon në procedurë të rregullt”, bëri të ditur Borovci.