Masa të jashtëzakonshme për një ngjarje të jashtëzakonshme. E tillë është finalja e Conference League, që do të zhvillohet më 25 maj në Tiranë: kjo përfaqëson natyrisht një operacion masiv sa i përket tifozëve, ashtu edhe sigurisë.
Në plan të parë është siguria e të gjithë tifozëve, jo vetëm ajo e ekipeve, prandaj për këtë ndeshje do të jenë të angazhuar një numër i madh personeli mjekësor, me rreth 50 persona, doktorë dhe infermierë. Do të ketë personel edhe nga kryqi i kuq, nga zjarrëfikësit, steëard-ë nga siguria private që do të jenë afërsisht 600 dhe nga policia e shtetit.
Në një intervistë për RTSH, shefi i Sigurisë në FSHF, Armando Mandro, i cili është edhe një nga oficerët e sigurisë për finalen, tregon të gjithë itinerarin e tifozëve, me rrugët kryesore që do të ndjekin për të kaluar dhe masat e sigurisë me të cilat ato do të përballen përpara se ata të hyjnë në stadium.
Plani për sigurinë e tifozëve, nga aeroporti në stadium – Është përgatitur një plan i detajuar, së bashku me Policinë e Shtetit, strukturat e tjera dhe Sektorin e Sigurisë së UEFA-s duke bashkëpunuar edhe me klubet, për ardhjen e tifozëve dhe sigurinë e tyre nga aeroporti në stadium. Tifozët e Romës do të grumbullohen në Parkun e Madh, ndërsa tifozët e Feyenoord do të grumbullohen në shëtitoren “Murat Toptani”.
Autobusët do të ndalojnë në “Rrugën e Kosovarëve” për tifozët e Romës dhe pastaj ata do të kalojnë nga Diga e Liqenit dhe do të futen në brendësi tek Amfiteatri. Aty do të jetë pika e grumbullimit për tifozët e Romës. Për arsye sigurie, tifozët do të levizin tre orë përpara fillimit të ndeshjes, nga pika e kalimit, duke kaluar në këmbë, nëpërmjet parkut të liqenit, te Rruga “Lek Dukagjini” dhe duke ardhur drejt sheshit “Nënë Tereza” ku do t’i afrohen pjesës jugore të stadiumit, ku është hyrja për ta.
Rruga “Lek Dukagjini” do të ndahet në dy pjesë, me skela, ku një pjesë do të jetë për automjetet që do të futen në stadium dhe pjesa tjetër për tifozët e Romës, të cilët duke u afruar në këmbë, do të kalojnë kontrollet policore dhe kontrollet e steëard-ëve për t’u futur në stadium. Kontrolli do të nisë nga Universiteti Politeknik, ku do të jetë Policia e Shtetit dhe më pas, duke u afruar te perimetri i sigurisë së stadiumit, është kontrolli tjetër i steëard-ëve.
Procedurat që do të ndjekin tifozët për t’u futur në stadium – Procedura e parë është të tregojnë biletën elektronike dhe me një aparaturë të veçantë, steëard-ët do ta çekojnë atë dhe do ta aktivizojnë. Në atë moment, do të aktivizohet edhe numërimi mbrapsht i tyre dhe ata do të mbarojnë kontrollin trupor të tyre dhe do të afrohen te dyert. Koha është e mjaftueshme për t’u ngjitur në katin e dytë dhe tifozët duhet të drejtohen direkt për te Turnstile, ku aktivizohet hapja dhe mund të hyjnë direkt.
Në rast se do të kenë vështirësi, do të ketë personel nga UEFA, por edhe vullnetarë, që do t’i ndihmojnë për çdo problem, si edhe për të gjetur vendet e tyre në stadium. E veçanta është se për herë të parë në këtë stadium aktivizohet bileta elektronike. Kjo biletë është aplikuar me sukses gjatë EURO 2020 dhe për këtë arsye, ekspertët e sigurisë së UEFA-s vendosën ta aplikojnë edhe për këtë ndeshje. Me sistemin e ri të biletave elektronike që çdokush do e ketë në telefonin e tij smart, shansi për t’u futur pa biletë është minimizuar ndjeshëm, pasi në momentin që afrohesh te turnstile bileta aktivizohet vetëm me aparaturë të posaçme dhe në rast se bileta mund të jetë screenshot, pajisja nuk e njeh.
Çfarë duhet të ketë dhe çfarë nuk duhet të ketë tifozi me vete ditën e ndeshjes – Një tifoz ditën e ndeshjes duhet të ketë me vete telefonin cellular ku do të ketë biletën e ndeshjes dhe sendet e vogla personale. Tifozi nuk duhet të ketë çanta të mëdha, nuk duhet të ketë pije, shishe me tapë, objekte të paligjshme që nuk lejohen. Të gjitha gjërat që nuk lejohen janë përgatitur me një broshurë të posaçme nga UEFA në tre gjuhë, shqip, anglisht dhe italisht dhe u janë shpërndarë tifozerive. Sa u përket flamujve, banderolave dhe sloganeve, grupet e tifozëve duhet të paraqesin kërkesën e tyre te sektori i Sigurisë dhe te policia, që do të miratojnë hyrjen ose jo të tyre.