Sokaku i “Bujupve t’naltë” në Arllat të Drenasit, pasditen e 11 korrikut të 2022-tës ushtoi nga plumbi që u shkrep gjatë fjalosjes mes kushërinjve.
Ajo që nisi si kërkesë për një borxh të mbetur pezull prej 1 mijë e 327 eurove, për pak sa nuk përfundoi në tragjedi në ditën e Bajramit, transmeton Gazeta Papirus.
Atë ditë, Bajrami dhe vëllai i tij Sabiti kishin shkuar te shtëpia e Mehmet Bujupit për t’ia kërkuar borxhin, të cilin pretendonin se Mehmeti ua kishte për mbetjet e një shtëpie që kishte nisur t’ua ndërtonte, por punimet i kishte lënë në gjysmë, raporton KIKS Kosova.
Në shtëpi fillimisht kishin takuar babanë e Mehmetit, 76-vjeçarin Murat Bujupi.
Ai thotë se djali i tij Mehmeti nuk gjuajti me armë për ta vrarë Bajramin, por veç sa për ta frikësuar.
Për Muratin, gjithçka që ndodhi atë ditë ishte një keqkuptim, i cili për fat nuk përfundoi në tragjedi.
Ai pretendon se në tokë kishte rënë vetëm një plumb, e jo tre siç e thotë pala tjetër.
Kiks Kosova shkoi edhe te shtëpia e Mehmet Bujupit, por ai nuk ishte aty. Përmes telefonit, Mehmeti tha se nuk dëshiron të prononcohet për këtë rast, meqë sipas tij, gjithçka ka përfunduar.
Të njëjtin, Gjykata Themelore e Prishtinës e ka dënuar me 10 muaj burgim me kusht duke ia llogaritur edhe kohën sa ka qëndruar në paraburgim prej 1 muaji dhe i është shqiptuar gjobë prej 1 mijë euro për armëmbajtje pa leje.
Ky vendim, sipas avokatit të tij Gazmend Halilaj është i drejtë.
Sipas tij, 51 vjeçari asnjëherë s’ka dashur të ndodhë ky konflikt.
Prej kur ndodhi mosmarrëveshja, ai thotë se Mehmeti nuk ka qenë në gjendje të punojë. Si pasojë e gjendjes së rëndë emocionale, i është shfaqur edhe diabeti e hipertensioni.
Lidhur me pretendimet e të dëmtuarit se ka frikë që mosmarrëveshjet mund të përsëriten, meqenëse Mehmeti endet i lirë, avokati Halilaj sigurohet që ata të rrinë të qetë.
Megjithëse vendimi i gjykatës tashmë është marrë, tensionet emocionale që la pas ky konflikt ende nuk janë shuar plotësisht. /Klankosova.tv